Faqja turke “Defence Turk.net”, ka pretenduar se Kosova do të furnizohet nga Turqia me sistem të mbrojtjes ajrore “ROKETSAN SUNGUR” dhe pajisjet përkatëse.
Përveç sistemit të mbrojtjes ajrore, kjo faqe pretendon ndër të tjera se Kosova nga Turqia do të furnizohet edhe me automjete të blinduara “STM KARGU Kamikaze” dhe “ZMA-15”.
Sipas këtij dokumenti, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka kërkuar miratimin e blerjes së 30 njësive lëshuese të sistemit të armëve “SUNGUR MANPADS” (180 raketa Sungur PorSav) të cilat do të jenë të disponueshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Për blerjen e armatimit ushtarak në fjalë, sipas dokumentit të prokurimit i publikuar nga media në fjalë, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 30 milionë euro me kompaninë turke të industrisë së mbrojtës “ROKETSAN”.
Ndryshe Albanian Post ka kontaktuar kontraktorin turk të armëve “ROKETSAN”, megjithatë deri në publikimin e lajmit, AP s’ka pranuar përgjigje.


