Trafiku i klandestinëve është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen autoritetet në vendet perëndimore, sidomos Mbretëria e Bashkuar.
Policia angleze zbuloi pak ditë më parë si funksiononte rrjeti i trafikimit ilegal, i drejtuar nga një shqiptar, përmes infiltrimit të një gazetareje.
Janë të shumtë shqiptarët, që detyrohen të largohen jashtë vendit në mënyrë ilegale, për shkak të varfërisë dhe gjendjes së vështirë ekonomiko-sociale që ka kapluar prej vitesh vendin.
Lidhur me këtë çështje, ka folur edhe gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha.
I ftuar në emisionin “Repolitix” në Report Tv, Hoxha i habiti të gjithë kur tha se edhe ai në të shkuarën ka shkuar ilegalisht si emigrant.
Më tej gazetari tregoi se si funksionon trafiku i klandestinëve dhe pagesat që kryhen, të cilin e cilësoi si një problem serioz.
Hoxha theksoi se trafiku i klandestinëve ndërthuret edhe me trafikun e lëndëve psikoaktive, pasi ata që paguajnë 15 apo 17 mijë paund për të shkuar në Angli, detyrohen të punojnë në plantacione për ta shlyer këtë shumë.
Ai tha:
Shqiptarët në këto 30 vite, duke më përfshirë edhe mua ilegalisht kam ikur për shkak të kushteve të jetesës, varfërisë, për një të ardhme më të mirë. Kuksianët fillimisht përdornin dokumente të ish-Jugosllavisë. Ky lloj trafiku organizohet kështu, nëse ke ndërmend të ikësh nuk lodhesh fare, pasi janë si agjencitë turistike, ‘Travel’ por nuk e shënojnë, por dihet se kush con njerëz në Londër. Trafiku i klandestinëve ndërthuret me atë të narkotikëve, pasi më pas për të shlyer shumën që paguajnë 15 apo 17 mijë paund për të shkuar, atje punojnë në plantacionet me kanabis me llampa brenda banesave. Ata i fusin në kamionë të mbyllur, pasi nuk ka rrugë tjetër.”


