Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se duke nisur nga data 30 prill të këtij viti nuk do të ketë më sportele fizike në Republikën e Shqipërisë. Ai tha se procesi do të jetë i vështirë në fillim, por më pas, gjithçka do të shkojë mirë.
Rama tha se një nga sukseset, se përse leja e drejtimit shqiptare është miratuar në Gjermani, lidhet sigurisht me konvertimin e shërbimit online.
“Është një proces transformues që e çon administratën nga një makineri të shtrirë në territor me zyra, njerëz, radha, zyra pritjeje, në një instrument në shërbim të çdo qytetari në xhep, smartphone apo kompjuterin më të afërt. Është një transformim i jashtëzakonshëm që ka një shembull kuptimplotë. Dreri para këtij procesi ishte e pa imagjinueshme që Republika Federale e Gjermanisë të njihte lejet e drejtimit të Republikës së Sipërisë që buronin nga një proces i pa gjurmueshëm.
Në këtë proces ka pasur një numër lejesh drejtimi që janë dhënë në mënyrë të rregullt, por ka pasur edhe parregullsi. Kjo e bën të pamundur që të imagjinohej që Gjermania do të njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë. Mua më kujtohet fare mirë kur e kam ngritur këtë çështje për herë të parë. I gjithë rreshti i palës gjermane u rrudh në fytyrë. Si mund të pretendonte Shqipëria të kishte barazi në këtë proces. Duke e ditur se kishin bërë progres të konsiderueshëm, ne insistuam të vinte një inspektim. Ka qenë një nga momentet e krenarisë time, kur inspektimi i gjermanëve doli pozitiv dhe ato ishin të shokuar se nuk e prisnin atë lloj realiteti të transformuar tërësisht. Vetëm përmes digjitalizimit është realizuar një proces që i ka dhënë mundësi administratës të bëjë perfrmancën më të lartë. Një shembull tjetër i kundërt i tij.
Dëgjova drejtorin e gjendjes civile, është i ri dhe s’e kam me të. Vjet ai tha që janë lëshuar 1.5 mln certifikata me letër. Unë pyes se pse? Për çfarë arsye është shpenzuar bojë e letër për 1.5 mln certifikata. Ndërkohë që jo vjet, por të paktën prej 4 vitesh, në mos edhe më shumë, s’ka pasur nevojë të harxhohet fije letre apo bojë për certifikata. Janë ekstreme të një procesi që kërkon vendosmëri të madhe dhe kalim të besimit te teknologjia duke ndërprerë fijet me inercinë e traditës. Eksperiencat e vendeve të tjera na kanë mësuar që kalimet bëhen në mënyrë drastike. Bëhen me një të prerë të shpatës sepse vazhdojnë bishtat pas bishtave. Kjo prodhon hapësira ku vazhdon zvarritja, stresi e ryshfeti, si dhe shërbimi jo cilësor. Vendimi është i prerë, më datën 30 prill s’ka më sportele në Republikën e Shqipërisë. Kjo do të funksionojë edhe pse në fillim do të ketë ngërçe, shqetësime. Nevoja do t’i bëjë që ta mësojnë”, tha Rama.


