Botohet për herë të parë procesverbali i një inventari mbi gjendjen e dosjeve të ish-Sigurimit që nisi menjëherë pas largimit të Gazidedes nga SHISH dhe zgjati 3 vjet me radhë fletë më fletë. Ja cilat dosje mungojnë…
Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit mbeten tema më e debatuar dhe misterioze e tre dekadave të fundit.
Janë zhdukur ose jo është debati që bëhet dhe ribëhet herë pas here. Kush ka qenë agjent i Sigurimit, pse nuk u bë asnjëherë lustracioni, kush janë personat që kanë pasur akses dhe cilat janë dosjet e mbetura.
Materiali që na ka rënë në dorë këto ditë është informacioni më i saktë dhe i imët që i është bërë situatës së dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit. Bëhet fjalë për një inventar që ka nisur në vitin 1997 dhe ka zgjatur tre vjet sapo nga detyra është larguar Bashkim Gazidede.
Fatos Klosi me t’u zgjedhur shef i Shërbimit Informativ Kombëtar ka urdhëruar inventarizimin e materialeve që lidheshin me –ish Sigurimin e Shtetit.
Pas një pune trevjeçare –ish vartësit e Fatos Klosit kanë dorëzuar te eprori inventarin i cili është bërë faqe më faqe dhe dosje më dosje.
I pyetur nga DITA, zoti Klosi konfirmoi dje këtë procedurë pune që është ndjekur, duke theksuar edhe se pas inventarizimit, shumë dosje janë zhdukur, temë me të cilën do të merremi nesër.
Ai tha se “më kujtohet fare mirë inventarizimi që është bërë me urdhrin tim dhe shkeljet që janë gjetur, por nuk mund të flas për emra konkretë dhe shifra ekzakte. Ato janë në dokumentet e kohës”.
Materiali mban titullin “Mbi përfundimin e inventarizimit dhe marrjen në dorëzim të materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit” dhe i drejtohet zotit Klosi.
Inventari është bërë me dy faza. Në fazën e parë konsiston me grumbullimin, evidentimin, inventarizimin dhe marrjen në dorëzim të dosjeve në aparatin qendror dhe në degët e SHIK.
Faza e dytë ishte fiksimi, inventarizimi, marrja në dorëzim dhe sistemimi i fondit arkivor të ish-Sigurimit të Shtetit që u gjet në arkivin e SHIK.
Me sa duket, nga informacioni që po botojmë, ato dosje kanë qenë një “patate e nxehtë” për politikanët që dolën në skenë dhe u ngjitën në pushtet pas vitit 1990. Periudha kur janë futur duart në këto dosje sekrete lë të dyshosh për shumë gjëra.
Në ato dosje fshiheshin agjentët e shërbimeve të huaja, pseudonimet e tyre dhe informacioni që ka rrjedhur nga shërbimi inteligjent shqiptar.
INFORMACION PËR INVENTARIN
Mbi përfundimin e inventarizimit dhe marrjen në dorëzim të materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit
Drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar, Zotit Fatos Klosi
Në zbatim të urdhrit Tuaj, ju vëmë në dijeni se përfundoi para afatit kohor inventarizimi i imët (fletë më fletë) dhe marrja në dorëzim e fondit të mbyllur të ish-Sigurimit të Shtetit, e cila u krye në një periudhë 3-vjeçare kohe nëpërmjet dy fazave:
Faza e parë
Pasi konstatuam se në Drejtoritë e Aparatit Qendror si dhe në Degët e SHIK-ut në rrethe, ruheshin dhe administroheshin dokumentacione operative të të gjitha llojeve të ish fondit të mbyllur të Sigurimit të Shtetit, në kundërshtim me Ligjin e FHIK-ut dhe atë të Arkivave, organizuam menjëherë grumbullimin, evidentimin, inventarizimin dhe marrjen e tyre në dorëzim. Si rrjedhojë, u grumbulluan dhe u inventarizuan 2325 dosje të ndryshme operative, 1419 dosje të R.S.I. si dhe 3584 dokumente e materiale të ndryshme operative që ndodheshin gjendje pothuajse në të gjitha Drejtoritë dhe Degët e SHIK-ut në rrethe; duk mundësuar punën që Shërbimi Informativ Kombëtar të ketë në përdorim të përditshëm vetëm dokumentet që ka prodhuar e prodhon si SHIK.
Faza e dytë
Dhe më kryesorja ishte fiksimi, inventarizimi, marrja në dorëzim dhe sistemimi i fondit arkivor të ish-Sigurimit të Shtetit që gjetëm në arkivin tonë. Kjo ishte edhe faza më e vështirë me të cilën u përball Dega e Arkivit, pasi:
– Arkivi u gjend në situatë kaotike. 80 % e materialit të futur në arka dhe thasë ishin të vendosura dhe të shpërndara nëpër dhomat e arkivit, ku materiale në arka të një fondi ishin bashkuar me një fond tjetër, (shpesh për të gjetur materialet për shfrytëzim detyroheshim të lëviznim mbi 50 arka), pjesa më e madhe e arkave metalike dhe e materialeve SRV ishin të hapura (pa dryna) edhe ato arka që ishin me dryn, detyroheshim t’i hapnim me forcë pasi nuk gjenim çelësat e tyre,etj.
-Procesverbalet e dorëzimit të fondeve arkivore i gjenim me vështirësi, gjë që fillimisht na krijonte mjaft pengesa serioze për të verifikuar në kohë e me cilësi materialin konkret të kërkuar.
-Materiali arkivor mbahej për ruajtje dhe shfrytëzim në kundërshtim me Ligjin, jo vetëm pa inventar, por një pjesë e mirë e procesverbaleve të dorëzimit të ish Degëve P. Brendshme të rretheve, ishin të pa firmosura si dhe të pa shënuar në to komisionin apo edhe individin që i ka marrë në dorëzim.
Të dyja këto faza për nga pikëpamja e kërkesave të zbatimit ligjit dhe rregullave të Drejtorisë Përgjithshme të Arkivave, u realizuan nëpërmjet një pune të kualifikuar profesionale dhe ndjenje të lartë përgjegjësie, sipas një metodike të hartuar nga Dega e Arkivit dhe miratuar nga Drejtoria. Në të përcaktohej qartë jo vetëm taktika dhe strategjia e inventarizimit, por edhe problemet tekniko-administrative që do zgjidhte ky proces, duke filluar qysh nga akt-marrëveshjet (solidare) të arkivisteve fondruajtëse , organizimin e vogël të punës, plotësimin e regjistrave inventar të fondeve Model 14, në bërjen e procesverbaleve të marrjes në dorëzim për secilin fond më vete, në përcaktimin e rregullave të ruajtjes së sekretit dhe të vazhdimësisë së punës me komisionin “Bezhani” e shfrytëzimin e arkivit dhe deri në sistemimin përfundimtar të tij.
I theksuam këto jo vetëm se janë kërkesa te domosdoshme të zbatimit të ligjit si dhe pasqyrojnë kulturë tekniko-profesionale, por edhe për faktin se përfundimi i inventarizimit na përballi me shqetësime serioze në fushën e dokumentacionit dhe të pasqyrimit të punës nga paraardhësit tanë si:
– Mungesa e plotë e dokumentacioni që të pasqyrojë punën dhe aktivitetin e kësaj dege (me përjashtim të Komisionit “Mezini”); ka gjurmë të kësaj pune si kompjuterizimi R.S.I. dhe i disa fondeve, autorizime shfrytëzimi, fotokopjime, krijimi i fletoreve të fondeve, pa llogaritur këtu mungesat në informacione apo relacione te-ndryshme , tematika -pune e plane, analiza periodike e vjetore pune, ndonëse urdhri i titullarit për këto të fundit ka qenë, e cila është e pa dokumentuar e evidentuar.
Pa u zgjatur në vështirësitë dhe pengesat tona, si fizike ashtu edhe në marrjen e përgjegjësive mbi vete, arritëm të përfundojmë inventarizimin i cili përbëhet nga dy fonde kryesore të ish-Ministrisë së Brendshme, Sigurimi i Shtetit, si:
Fondin i kundërzbulimit ( ish Drejtoria I-rë), ku përfshihen materialet operative të arkivuara të Degës IV (kartoteka), Degës XIII-të që vepronte në drejtim të përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë, Degës X-të (shifra) në Aparatin Qendror dhe vazhdon me 26 njësitë administrative që fillojnë me ish-Drejtorin P. Brendshme Tiranë si dhe me Degët e P.Brendshme: “B.Curri”, Kukës, Shkodër, Pukë, Rrëshen, Dibër, Burrel, Lezhë, Krujë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Lushnjë, Gramsh, Fier, Berat, Vlorë, Librazhd, Pogradec, Korçë, Ersekë, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë i cili përveç se u inventarizua, u sistemua sipas kësaj strukture.
Fondin i zbulimit (ish Drejtoria II-të) , ku përfshihen materialet operative të arkivuara me emërtesat : fondi i Drejtorisë II-të që përmban materiale operative të arkivuara të degëve të kësaj drejtorie si dhe fondi i Kosovës, fondi i të huajve, fondi i të arratisurve, fondi ekonomik, fondin e veçantë, fondi administrativ dhe fondi i shifrës së këtij shërbimi, i cili përveç se u inventarizua, u sistemua sipas kësaj strukture.
-Dy fondet e mësipërme përmbajnë të gjitha materialet agjenturore-operative të ish-Sigurimit të Shtetit qysh nga koha e krijimit të tij e deri më 2 Korrik 1991 me shkrirjen me ligj të këtij organi.
Në arkivin tonë ndodhen gjithashtu edhe 135 dosje operative, fashikuj me implikime, me materiale për ish-anëtarë e kandidatë të PPSH, që i përkasin grupit të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, fëmijëve të tyre dhe 24 ish-shtetarëve dhe lidhjeve miqësore e shoqërore të tyre si dhe dy volume “Përgatitja e Prokurorit Përgjithshëm” (për këtë grup).
Këto dosje operative janë tërhequr nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ku ruheshin për llogari të Fondit të ish-KQ të PPSH pa asnjë lloj dokumenti. Meqenëse janë dosje operative, kemi mendimin të shfrytëzohen dhe të administrohen nga ne. Gjithashtu, krahas këtyre fondeve kemi edhe fondin e “të vdekurve” i cili përbëhet nga 6270 dosje të ndryshme. Të shprehur në shifra, këto fonde përfaqësohen: Fondi kundërzbulimit që ka 12335 dosje operative, 7891 dosje RSl pjesa më e madhe e të cilave janë të shoqëruara me dosjen e punës dhe 6097 njësi të ndryshme dokumentare që përbëhet nga procesverbale të ndryshme, regjistra e libra evidence, studime, përshkrime, tema, shkresa dhe dokumentacione të ndryshme operative.
Fondi i zbulimit që ka 28256 dosje operative, 3802 dosje RSI dhe kandidatësh për bp. si dhe 2266 njësi të ndryshme dokumentare që përbëhen nga procesverbale të ndryshme, regjistra e libra evidence, studime, përshkrime , tema , shkresa dhe dokumentacione të ndryshme operative. Të gjitha këto materiale u evidentuan në regjistrin inventar te fondit “Model 14” fletë për fletë, me një numër total fletësh të inventarizuara rreth 5.380.000 dhe me numrin total prej 58554 dosjesh të ndryshme, 9372 dokumentacione të ndryshme si dhe 215794 kartela të ndryshme. I tërë ky volum është futur e sistemuar në 1240 arka metalike dhe dy dollapë druri të mëdhenj me sirtarë , të ndara në 5 dhomat e arkivit…