Lirohet nga burgu “i forti” i Shkodrës Lulzim Kulla. Në seancën e zhvilluar sot në gjykatën e Gjirokastrës, vendimi i gjyqtarit Arben Dosti ka qenë dënimi i Kullës me 1.5 vite burg pasi tentoi të kalojë drejt Greqisë me një pasaportë false në muajin korrik të këtij viti.
Por pasi është dhënë vendimi ai është liruar në sallën e gjyqit pasi sipas gjykatësit vlerën e dënimit Lulzim Kulla e ka vuajtur gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim. Gjithashtu gjykata ka marrë parasysh edhe gjendjen e tij shëndetësore pasi ai vuan nga kanceri në prostatë, ka një këmbë të dëmtuar dhe njëherazi ka mbetur shurdh nga një atentat me tritol dhe për rrjedhojë e ka lënë atë të lirë.
Lulzim Kulla është një personazh i njohur në Shkodër. Në 13 janar të këtij viti atij iu bë atentat me tritol me një motoçikletë në lagjen “Partizani” në Shkodër, të cilit ai i mbijetoi por me dëmtime në trup. Pas këtij momenti ngjarjet kriminale pasohen njëra pas tjetrës në Shkodrës, ndërsa 10 gusht të këtij viti në një atentat me armë zjarri në qendër të Shkodrës, ekzekutohet Fatbardh Lici, kunati i Lul Kullës.


