Ish-ministri i Shëndetësisë, aktualisht deputet i thjeshtë, Ilir Beqaj, ka deklaruar dje se do të propozojë një amendament për të ndryshuar akcizën e gazit të lëngshëm, dhe ai të importohet me një çmim si për automjetet, ashtu dhe për qytetarët që e përdorin për gatim apo ngrohje, shkruan “Panorama”.
Beqaj ngriti si shqetësim faktin se importuesit e gazit në 10 muaj bëjnë deklarime të rreme për importin e gazit, duke krijuar evazion fiskal. Gazin e deklarojnë se e importojnë për gatim dhe e përdorin për tregtim për automjetet.
Për deputetin, zgjidhja është që akciza për importin të jetë e njëjtë si për gazin auto, edhe për atë që tregtohet për qytetarët për gatim dhe ngrohje. Problem për Beqajn është dhe rënia e kërkesave të qytetarëve për të kthyer makinat me impiante gazi.
“Nga informacionet që kam marrë për 10-mujorin, rreth 39% e gazit të importuar është deklaruar se do përdoret për makina, por se ç’bëhet më tej, nuk dihet. Nga të dhënat empirike, kur u vendos kjo ngarkesë fiskale, numri i automjeteve që deklarojnë adaptimin e mjetit të tyre për gaz ka rënë. Sipërmarrja e adaptimit na ka thënë që ka rënë puna. Unë them që ta uniformizojmë këtë ngarkesë të gazit, meqenëse mund të krijohen probleme në të hyra. Mund të prek të gjithë. Dhe nëse do të ketë opinion që duke prekur ata që përdorin për nevoja jetike, çfarë të mire sjellim. Unë mendoj se ata që kanë nevoja të mëdha jetike, dëmtohen jo pak, por më shumë se gjithë të tjerët kur krijojmë vetë ne në legjislacion, nuk po them evazion, por për arbitrazh fiskal. Për këtë të fundit do dorëzoj një amendament në seancë”, ka thënë deputeti i PS-së.
Si ish-ministër i Shëndetësisë, Beqaj ka denoncuar dhe kolegët deputetë, si dhe punonjësit e Kuvendit që, sipas tij, pinë cigare në ambientet e institucionit, po ashtu dhe në kafenenë e seancave.
Në këtë ambient lejohet hyrja vetëm për deputetët, por për Ilir Beqajn, aty nuk zbatohet ligji, ndaj dhe deklaroi se nuk do të votojë rritjen e akcizës së cigares.
“Duhet ta pranojmë që ne duhet ta fillojmë nga vetja zbatimin e ligjit, qoftë kafja ku bëjmë seancat plenare, qoftë kafja në Kryesi, janë vendet kryesore që ky ligj nuk zbatohet”, u shpreh Beqaj.


