Paul Manafort, ish-menaxher i fushatës presidenciale të Donald Trump dhe ish partneri i tij në biznes, janë dorëzuar sot te autoritetet federale të SHBA-së. Pas dorëzimit, ndaj tyre është ngritur një aktakuzë e cila përfshinë 12 pika, në kuadër të hetimit të prokurorit special, Robert Mueller ndaj përzierjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale 2016 në SHBA.
Manafort dhe Rick Gates akuzohen për konspiracion ndaj Shteteve të Bashkuara, spastrim parash, se ishin agjent të një shteti të huaj, deklarata të rreme dhe mashtruese dhe për shtatë pika të akuzës për mos dorëzimin e raporteve të bankave të huaja dhe të dhëna zyrtare, thuhet në aktakuzë, transmeton Express.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur nga një juri këtë të premte, dhe u bë publike sot pasi të akuzuarit u dorëzuan në Polici sot në mëngjes, raportojnë mediat amerikane.
Manafort u punësua nga fushata zgjedhore e Trumpit në muajin maj 2016, por u detyrua të japë dorëheqje vetëm pas tre muajve, kur mediat nisen ta vënin në dyshim punën e tij për presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukoyvch, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.


