Michael Cohen, avokati për shumë vjet i Presidentit të SHBA, Donald Trump është treguar i gatshëm të pranojë fajin, në hetimet që po zhvillohen kundër tij. Coheni konsiderohet si “mbrojtësi i lirë” i Trumpit.
Pritet që Coheni, të cilin e akuzojnë për mashtrim në tatime dhe mashtrim të bankës si dhe për shkelje të ligjeve për financimin e fushatave elektorale, të pranojë fajin, bën të ditur “New York Times”, stacioni CNN dhe medie të tjera amerikane.
Sipas “New York Times”, marëveshja e Cohenit me prokurorinë nuk përmban që ai do të bashkëpunojë me hetuesit. CNN bën të ditur më tej se marrëveshja e 51-vjeçarit me drejtësinë parashikon një dënim me burgim si dhe një gjobë.
Hetimet zhvillohen në lidhje me dyshimin se i ka paguar para për të heshtur në shumën 130.000 dollarë aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels.
Hetues të FBI-së kontrolluan në prill zyrën, apartamentin dhe një dhomë hoteli të Cohenit. Në kontroll ata konfiskuan e-maile, dokumente dhe dokumentacion biznesi për tema të ndryshme, midis tyre për pagesat problematike të Cohenit.
Cohenin e përshkruanin shpesh si “mbrojtësin e lirë” të Trumpit dhe konsiderohej jashtëzakonisht besnik ndaj tij. Por në javët e fundit ai la të kuptojë në intervista se është distancuar nga ish-shefi i tij. Veç kësaj u publikua regjistrimi i një bisede midis tij dhe Trumpit, të cilën Coheni e kishte regjistruar me sa duket fshehtas.



