Sekretari për Marrëdhëniet me Median në PS, Alfred Peza ka ironizuar edhe një herë udhëheqësit e opozitës rrugore.
Peza shkruan se hallet e shqiptarëve ia “qajnë” vetëm kur me një gotë shampanjë në dorë japin leksione nga pushimet e tyre se si do e rrëzojnë qeverine sapo të rikthehen në shtator.
“Janë të paparë këta udhëheqësit e mëdhenj të opozitës sonë rrugore. Në kulmin e pushimeve verore, ku po i japin dorën e fundit bronzimit të lëkurës, rrijnë që rrijnë në resorte turistike, male, dete, pishina, vila, hotele e restorante dhe bëjnë herë pas here postime në rrjetet sociale.
Mund ti fantazoni edhe me nga një gotë vere, shampanje apo koktejli ekzotik në dorë, kur nisin e i qajnë hallin shqiptarëve. Duke mos u kursyer pas kësaj, të na ofrojnë falas edhe formulat e tyre magjike, se si do ta shpëtojnë njëherë e përgjithmonë këtë vend… sapo të rikthehen në shtator.
Shenjë e sigurtë se “Revolucioni” vazhdon!”
/Marrë nga Alfred Pez@, blogu personal