• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 9 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

9 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
INTERVISTA/ Takimet me politikanët VIP dhe vizitat e fshehta të Nexhmijes, sekretet që fsheh “Dervish Hatixheja”
Home
Intervista

INTERVISTA/ Takimet me politikanët VIP dhe vizitat e fshehta të Nexhmijes, sekretet që fsheh “Dervish Hatixheja”

28 August, 2018 g.autor Dossier, Intervista

Nënë Rukija është një nga personazhet e dashura dhe shumë të njohura, jo vetëm nga rrethet e komunitetit mysliman, por edhe ata që nuk janë të tillë. Konsideratat, lëvdimet si dhe ftesat pafund i vijnë edhe nga jashtë kufijve të vendit, duke rritur interesin për vendin tonë të vogël. Teqeja e Dervish Hatixhesë, nga viti 1992 drejtohet nga 90-vjeçarja nënë Rukija. Vetë nënë Rukija thotë se i kanë ardhur shumë dhurata nga Irani apo vende, ku fama dhe emri i saj ka shkuar. Është krenare për punën që ajo ka bërë, por edhe familjen nga e cila vjen, familja e tregtarëve Tabaku. Flet me mburrje për mbesën Jorida Tabaku si dhe bamirësitë e vendit të mirë që atë e rriti. Rrëfimet mbresëlënëse që na kanë mbërritur si të freskëta gojë pas goje, na lënë të lirë imagjinatën, duke u bërë pjesë e viteve që u referohen gojëdhënat. Nënë Rukija thotë se nga miqtë e saj nuk ka mbetur askush. Të gjithë kanë vdekur. Jetëgjatësia e saj është një bekim jo i vogël për banorët e Tiranës. Të gjithë mundemi ta shohim e prekim me sytë e duart tona mrekullinë e radhës së nënë Rukijes sonë.

Kur thua se ndodhesh te Dervish Hatixheja, nuk ka tiranas që të pulisë sytë dy herë për ta kuptuar pozicionin gjeografik, në të cilin ndodhesh. Është nga adresat e rralla që nuk ka ndryshuar dhe na sjell një copëz të shkuare sa herë e përmendim. Teqeja ka qenë dhe mbetet pika më e pandryshueshme, kur do të rrish në paqe me veten dhe problemet e tua. Je në lëndinën e parajsës tënde, ku ti guxon të mendosh për të pamundurat e tua, të cilat flenë kaq thellë, saqë i ke harruar edhe ku ndodhen (për ata që kanë një besim). Ky vend të fton t’i kërkosh në qetësi ato, duke ta bërë dhimbjen më optimiste, trishtimin më të lehtë, shpresën shumë herë më të madhe. Ndaj ky vend që rri i strukur pas ndërtesës së maternitetit të vjetër të Tiranës, ka kaq shumë vizitorë të thjeshtë , të çuditshëm apo shumë të komplikuar.

Si mundi Hatixhe Skënderi (Dervish Hatixheja), një mjeke – grua e apasionuar pas mjekësisë popullore dhe përkushtimit, të realizonte mrekullinë e kurimit të sëmurëve nga kolera, pa u infektuar nga ky virus?! Hatixheja vuri në dispozicion jo vetëm pronat e saj për t’i varrosur trupat e pajetë, por mundësoi duke e kthyer shtëpinë në një spital me shumë shtretër në shërbim të sëmurëve të pashpresë. Ishte kjo grua, e cila ndonëse ka kaluar shumë më shumë se 200 vjet, ka bërë që emri dhe bamirësitë e saj të mbesin në memorien tonë.

Nënë Rukija, (pasardhësja e fundit e Dervish Hatixhesë) tregon se në kohërat e zeza të internimeve (vitet 45-80), kjo shtëpi ishte e mbipopulluar nga numri i madh i lutësve. Rrëfen edhe për djegien dhe rimëkëmbjen e teqesë. Por, ajo që më befasoi në këtë intervistë përveç situatave të vështira që ka kaluar, janë edhe raportet e nënë Rukijes me politikën. Ishim vendi i vetëm ateist dhe diktatori organizoi çudinë e shembjes së të gjitha objekteve të kultit. Sot, zonja e parë e diktatorit, Nexhmije Hoxha, ndez qiri te vendi i mirë. Në këtë bisedë, nënë Rukija flet për raportet me këto personazhe. Rrallë ose aspak kemi dëgjuar për qirinjtë që ndizen në këtë vend nga personazhet e njohura. Nënë Rukija nuk e fsheh simpatinë për Kryeministrin Rama. Flet edhe për Ilir Metën, Sali Berishën, por është evidente zemërata me jetëgjatësinë e Nexhmije Hoxhës, si dhe qirinjtë që punëtorja e saj i ndez vazhdimisht, duke i përcjellë edhe përshëndetjet e zonjës së parë të diktatorit shqiptar.

TEQEJA

Në shtëpinë tuaj, a vijnë politikanë?

Kur Edi Rama u martua te “Xibraku”, më ftoi, por unë nuk mundesha t’i shkoja dot se isha e sëmurë. Kur ai erdhi te kjo shkolla që kam këtu, dy vjet më parë më tha: “O nënë Rukije, të rrosh 100 vjeç dhe ta mbash mirë këtë vend, se këtu kanë lindur dhe janë rritur të gjithë emrat e bekuar të familjes suaj. “Një ditë unë isha duke shkuar për të marrë mish te dyqani i lagjes, kur tamam si tani, para festës së Kurban Bajramit, përballem me Kryeministrin: “Ku po shkon nënë Rukije?” – Po marr mish se jam e sëmurë. Ju si jeni?,- thashë. Ta kaloni mirë me Lindën e Zahon. Kur isha e ftuar te Baba Mondi në Kryegjyshatën Botërore, aty gjeta këmbë përmbi këmbë Edi Ramën. Më mori në qafë, më përqafoi edhe Linda, edhe Edi dhe më tha: “Eja tani në makinën time. Shkojmë bashkë në komunitetin islamik”. Dhe ashtu bëmë. Sot mevludin nuk dinë ta këndojnë mirë se janë hapur shumë pika të kota.

Rama është ortodoks dhe i pagëzuar si katolik, si e shpjegoni lidhjen e tij me komunitetet myslimane?

Unë Ramës ia kam njohur edhe nënën. Është e vërtetë se ka fenë ortodokse, por kur unë e kam pyetur, më është përgjigjur duke më thënë: “Unë i respektoj të gjitha fetë njësoj”.

Cili nga politikanët ju pëlqen më shumë?

Ramën e pëlqej shumë se ai do që Shqipëria të ecë. Ka lënë shumë gjëra që njerëzit të punojnë privatisht si dhe emigracionin e shumtë

Rikonstruktimet i keni bërë ju apo jeni ndihmuar nga bashkia?

Deri tani, qeveria e Ramës për këtë vend nuk ka dhënë asnjë ndihmë. Por ama, ai nuk i ndalon njerëzit që të vijnë këtu te vendi i shenjtë. Do i kërkoja që të ma sistemojë më mirë rrugën. Ne e kemi bërë privatisht. Po vetë kemi vendosur edhe një tra në hyrje të saj, se na hynin në rrugicë dhe na bllokonin kalimin. Vinin ca karroca të mëdha dhe i fshihnin këtu. Kjo s’bëhet se është ven i shenjtë. Këtu vijnë shumë personalitete. Ka ardhur edhe ambasadori i Iranit, i cili edhe më ka ftuar në Iran. Atë dhomën e faljes e kam dhuratë nga ai. Pra, të jetë për mua, unë dua më shumë se ky vend ka më shumë se 200 vjet që është, por çfarë të bëjmë?

Nënë Rukija në moshë të re

Çfarë moshe keni nënë Rukije?

Më 21 mars bëj 90 vjeç.

Si ishin fillimet tuaja si nuse në këtë shtëpi?

Në jemi nga familja e njohur Tabaku. Ali Tabaku është im atë. Ai ishte biznesmen

Si ishte kjo shtëpi kur erdhët nuse?

Në kohën kur unë erdha, feja ishte e lirë dhe besoje pa problemet që u krijuan më vonë. Shtëpia ishte e dëmtuar shumë. E sistemuam vetë dhe pasi e rregulluam pas rreth një muaji, u dogj nga qirinjtë (1,2 vjet pas ardhjes sime). Atëherë ishin me mijëra ata që kërkonin paqe te kjo shtëpi. Kur e risistemuam dhe krijuam vendin e qirinjve, nuk ka ndodhur më asgjë e keqe. Njerëzit vinin pa fund, edhe kur shtëpia ishte e parregulluar. Diku rrinin shtrirë, diku duke u lutur. Ishin tufa- tufa njerëzit. O zot sa shumë na vinin të internuarit. Nuk e harroj ditën kur varën me litar Shefqet Ndroqin nga Durrësi. E varën këtu, se ai vetë e kishte lënë me amanet të varej para derës së Dervish Hatixhesë. Dikur këtu, përpara shtëpisë sonë, ishte një lulishte e madhe dhe njerëzia rinin për qejf para se të hynin te shtëpia jonë. Kur u ndërruan sistemet diktatori e prishi lulishten, por vendin e shenjtë nuk e preku. Në atë kohë, ai sistem kur vendosi të shembte shumë parqe apo banesa, i prishi të gjitha çfarë ishin rreth e rrotull, por këtë vend nuk e shembi. Sot i përballojmë vetë të gjitha dëmet apo hyrje-daljet e besimtarëve. Mua më ka vdekur burri shpejt dhe m’u desh forcë e madhe ta çoja përpara. Im shoq, në kohën e Enverit ka punuar në Gardën e Republikës. Diktatori i prishi të gjitha vendet e shenjta, ndaj ia hoqi zoti gojën në vitet e fundit të jetës nëse të kujtohet. Ndërsa Nexhmija rron akoma. Si ka mundësi?! Unë vetë nuk kam mundur ta njoh, por ajo sjell vazhdimisht në këtë vend punëtoren e saj të ndezi qirinj. Kur punëtorja e saj vjen këtu, më thotë: “Të bën të fala Nexhmija që e ke ruajtur atë baltë të shenjtë”. Çudi për zotin!

Me Ramën, sa herë jeni takuar?

Dy herë gjithsej. Kur erdhi për ndërtimin e shkollës “Lidhja e Prizrenit”, më përqafoi dhe folëm. Në fakt, tani dua ta takoj Ramën e t’i them ca gjëra. Kur më përqafoi së fundmi, më tha: “Shyqyr që je plakë, se të ishe e re…”

Si i keni raportet me politikanët e tjerë?

Me Sali Berishën jam parë te “Vila 14”, kur kishim Ramazanin. Ai më dërgoi makinën e tij dhe shkuam të bënim iftarin. Ndërsa me Ilir Metën dhe Monikën jemi miq. Ilirin e takova ne Kryegjyshatën Botërore. Por e kam takuar edhe njëherë tjetër në Durrës te një miku im, Laze Hysenbelliu. Janë besimtarë të mirë të gjithë këta që thashë.

RUKIJA

Nënë Rukija, trashëgimtarja që luftoi për të rihapur teqenë

Dervish Hatixheja ishte nusja e shtëpisë ku është teqeja dhe tradita familjare vendosi që do të ishte gjithnjë një nuse, e cila do të vijonte me shërbesat shpirtërore që do t’u bëheshin njerëzve në teqenë e Dervish Hatixhesë. Nënë Rukija është njeriu që sot është përgjegjës për shërbimet shpirtërore në teqe. Ka qenë ajo që e ka rikonstruktuar këtë teqe pas viteve ’90 dhe që e ka mirëmbajtur deri në ditët e sotme. I ka dedikuar jetën këtij misioni hyjnor. Nënë Rukija vjen nga një familje e njohur tregtarësh të Tiranës. Në moshën 20-vjeçare u martua me Abdylin, trashëgimtarin e familjes së Dervish Hatixhesë. Nënë Rukijes, që në kohët e para të martesës iu desh të përshtatej me mënyrën e jetesës së shtëpisë së Dervish Hatixhesë, çka ajo e bëri me shumë dëshirë e bujari. “E gjithë jeta ime i është dedikuar kësaj teqeje. Sa herë është diskutuar nëpër mbledhje plenumi për prishjen e kësaj shtëpie, por besimi ynë e shpëtoi”, tregon nënë Rukija. Ajo e mban përherë derën hapur për të gjithë besimtarët. “Disa prej këtyre njerëzve që po shihni e që kanë ardhur të më vizitojnë në gjithë këto vite, kanë trokitur edhe dikur në mënyrë të fshehtë. Nuk i janë ndarë asnjëherë besimit, me gjithë frikërat që mund t’u shkaktonte sistemi”. Pikërisht prej sistemit, teqeja u mbyll në vitin 1969. Në atë kohë, nënë Lakja, e ëma e Abdylit, ishte personi në radhë që i shërbente teqesë. Ramë Dervishi ishte bashkëshorti i saj. Rama dhe Lakja, të kushtëzuar nga situata dhe e ardhmja e errët që parashikonin, në mënyrë që të mbronin teqenë nga prishja, vendosën që ta mbyllin vetë. Por, kuptohet, kjo ndodhi vetëm për sytë e botës. Kjo ishte arsyeja pse 5 trupat që preheshin në teqe, për të cilët ata thanë se ishin në varrezat e Shish Tufinës, nuk u zhvendosën. Pas vdekjes së Ramës, edhe djali i tij Abdyli vdiq, duke lënë kështu pas vetes nënë Rukijen në moshën 50-vjeçare me 6 fëmijë nga mosha 13-23 vjeç, bashkë me të ëmën, nënë Laken, e cila ishte tashmë e sëmurë. Prej kësaj kohe, e gjithë ngarkesa e shtëpisë, pesha e kujdesit e rritjes së fëmijëve, por edhe e ruajtjes së teqesë, i kaloi nënë Rukijes. Vendosmëria e saj ishte absolute; do ta vazhdonte me doemos traditën e asaj shtëpie. “Edhe pse tashmë isha fillikat e vetme dhe pa mbështetje, vazhdova t’i lejoja besimtarët të hynin në mënyrë klandestine në teqe. Shumë njerëz, sado që nuk mund të hynin brenda në teqe, kalonin aty te muri i shtëpisë dhe hidhnin nga çatia të holla në teqe. Çdo ritual shpirtëror e bënin sipas kodit, në heshtje të plotë”. Në vitin 1989, si kudo në Europën Lindore, edhe në Shqipëri sistemi komunist ra. Me iniciativën e saj, nënë Rukija rihapi zyrtarisht Teqenë e Dervish Hatixhesë. Për të gjithë besimtarët, ky ishte një lajm jashtëzakonisht i gëzueshëm, prandaj edhe pas kësaj dite, turmat e njerëzve nuk pushuan më…

Kush ishte Dervish Hatixheja, gruaja e kohërave të kolerës

Sipas historikut të familjes, Hatixheja ishte një nuse e re tiranase me dy fëmijë dhe si shumë gra të tjera të kohës, jetonte nën prangat e një realiteti të ashpër, ku shoqëria e quante normë abuzimin e grave. Gratë nuk kishin të drejtë, si qenie humane, të mendonin, të ndjenin, të shpreheshin apo të vepronin në drejtim të pasioneve dhe ëndrrave të tyre në jetë. Çdo zgjedhje bëhej për to nga burrat, familja apo shoqëria që komandoheshin nga burrat. Dhe për më tepër, burrat kishin të drejtë të ishin të pasjellshëm dhe jo vlerësues ndaj grave. Por Dervish Hatixheja do ta ndryshonte këtë shoqëri dhe mentalitet të kohës me veprën e saj humanitare ndaj njerëzimit. Fati do donte që shumë nga ata njerëz që nuk e respektonin gruan, do kishin nevojë pikërisht për ndihmën e një gruaje. Që kjo grua do ishte shpëtimtare e jetës së tyre apo do t’i qetësonte shpirtërisht gjatë vdekjes së tyre. Hatixheja do t’i bënte njerëzit ta shihnin gruan me një sy tjetër, madje dhe ta përgëzonin për ato që ajo ishte e aftë të bënte dhe për më tej, edhe ta bënin atë shenjtoren e tyre dhe të faleshin në gjunjë përpara saj. Hatixheja jetoi gjatë viteve 1700, kur Ballkanin e pllakosi epidemia e kolerës. Njerëzit vdisnin rrugëve të pandihmuar dhe mbeteshin dhe të pavarrosur, gjë që kanoste akoma më shumë rrezik për përhapjen e sëmundjes në pjesën e shëndoshë të popullatës. Hatixheja e humbi familjen e saj nga kolera. Por ajo diti që ta kthente këtë dhimbje në diçka pozitive. Ajo nuk u largua për t’i shpëtuar kolerës, përkundrazi, shpirti i saj e kërkonte që dhimbja e saj shpirtërore të bëhej forca për të ndihmuar të sëmurët me kolerë. Ajo, me shumë kurajë, me gjithë rrezikun që mund të sëmurej vetë nga kolera dhe duke hedhur tej tabutë e shoqërisë, mori iniciativa dhe u vu në shërbim të njerëzve. Ajo i ktheu pronat e saj në varrezë dhe shtëpinë e saj në spital për t’u kujdesur për të sëmurët me kolerë. Të paktën, njerëzit me kolerë të kishin një vend ku të kërkonin ndihmë. Aktiviteti humanitar i Hatixhesë u dha kurajë shumë grave të tjera, për të tejkaluar limitet e kohës dhe për t’u bashkuar me Hatixhenë për t’u shërbyer njerëzve. Ato, si Hatixheja kishin dëshirë t’u vinin në ndihmë njerëzve. Kështu, Hatixheja nuk ishte më vetëm. Ajo udhëhiqte një grup pune. Në këtë mënyrë, përveç se u vu në shërbim të njerëzimit, në një nga kohët më të vështira, krijoi gjithashtu një lëvizje pavarësie për gratë. Edhe më interesant është fakti që ajo vetë, edhe pse në kontakt të vazhdueshëm me të sëmurët me kolerë, nuk po prekej vetë. Pra, njerëzit shikonin që një mrekulli po ndodhte me të. Hatixheja gjithashtu filloi të shëronte të sëmuret me kolerë, çka u konsiderua një mrekulli tjetër e saj. Dervish Hatixheja ishte dhe një mjeke popullore e aftë për të shëruar disa lloj sëmundjesh, sidomos të plagëve të rënda. Ajo jo vetëm përgatiste vetë ilaçe me bimë medicinale, por i ofronte ato falas. Nga këto ngjarje, Hatixheja tashmë nuk shihej vetëm si një njeri i zakonshëm, duke u kthyer kështu në fenomen. Ajo jetoi në një realitet spiritual, për këtë arsye nuk u sëmur dhe diti ta përdorë ndërgjegjen e saj për të shëruar njerëzit. Hatixheja fitoi titullin “Dervish” për impaktin e aktivitetit të saj humanitar në ndihmë të të sëmurëve me kolerë, për dedikimin e saj ndaj njerëzve, e për të gjitha veçoritë mbinjerëzore që e karakterizuan. Titulli “Dervish” është një titull shenjtor, që u jepet shumë rrallë grave.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Snapchat ju lejon tash e tutje të dërgoni ‘GIF’ me muzikë
Previous article Samsung prodhon telefonët me radioaktivitetin më të ulët

g.autor

Postime të ngjashme

DOSSIER/ “’Arkitektura e kishave në shekujt VII–XV’!" Një ditë në studion e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Aleksandër Meksi Dossier

DOSSIER/ “’Arkitektura e kishave në shekujt VII–XV’!" Një ditë në studion e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Aleksandër Meksi

DOSSIER/ Më 1937, kur qarqet akademike gjermane propozuan Gjergj Fishtën për Çmimin Nobel! Shkrimtari i parë shqiptar i nominuar Dossier

DOSSIER/ Më 1937, kur qarqet akademike gjermane propozuan Gjergj Fishtën për Çmimin Nobel! Shkrimtari i parë shqiptar i nominuar

DOSSIER/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ja: “Më 22 nëntor ‘42, Mustafa Kruja u shpreh publikisht në Teatrin ‘Savoia’, se; duke e respektuar pavarësin e plotë të Shqipërisë... Dossier

DOSSIER/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ja: “Më 22 nëntor ‘42, Mustafa Kruja u shpreh publikisht në Teatrin ‘Savoia’, se; duke e respektuar pavarësin e plotë të Shqipërisë...

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT