Me doza ironie dhe sulme të shumta, Anëtari i Kryesisë së PS, Alfred Peza komentoi paralajmërimin e presidentit Ilir Meta për protestë në 2 mars. Gjatë një interviste në studion e “Vizion Plus”, Peza e quajti Metën “Skënderbeun e ri” që po synon të krijojë një Besëlidhje me zyrtarët e LSI.
“2 marsi i 1444 është Besëlidhja e famshme e Lezhës ku Gjergj Kastriot Skënderbeu thërriti të gjithë princërit shqiptarë në besëlidhje për luftën kundër pushtimit osman. Pas 576 vjetësh kemi edhe Skënderbeun e ri, Ilir Metën, i cili ka thërritur Besëlidhjen e ish-drejtorëve të LSI dhe gjithë zyrtarëvë të LSI që nuk janë më në qeveri dhe nuk kanë më pushtet. Kjo do të jetë ajo aleanca e madhe. Asgjë nuk do të ndodhë. Ajo çfarë do të ndodhë në 2 mars është fillimi i fundit të Ilir Metës si president.”
Për Pezën, paralajmërimet e presidentit nuk duhen marrë seriozisht. Ai theksoi se kjo ofensivë e kreut të shtetit lidhet me faktin se ai nuk e rrëzon dot më reformën në drejtësi.
“Është paralajmërimi numër 707 serioz i presidentit në vazhdën e paralajmërimeve që ka prej më shumë se një viti që bën në pozitat e një njeriu që ka tejkalaur të drejtat e tij kushteutese në raport me institucionin që përfaqëson, në raport me atë që përcakton Kushtetuta për presidentin dhe në raport me të gjitha detyrat dhe detyrimet që ka kreu i shtetit në një Republikë Parlamentare si kjo e jona. Nuk ka asnjë rrezik për destabilizim. I gjithë reagimi i Presidentit të Republikës vjen për shkak të faktit se ai nuk ka më asnjë fuqi dhe asnjë fuqi të bllokojë më reformën në drejtësi dhe ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese të reformuar.”
/Vizion Plus