“Edhe nëse gazetarët nuk është e thënë që të bëhen të gjithë politikanë, e sigurt është se në epokën ku jetojmë, politikanët e kanë jetike të jenë gjithnjë e më shumë “gazetarë”. Me këtë hyrje Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET e ka përfshirë këtë intervistë me Alfred Pezën, në librin e saj më të ri “Ndikuesit/ Influencers- Gazetarët përballë politikanëve”.
Si arrini ta ushtroni njëherësh rolin e gazetarit dhe atë të politikanit, praktikisht dhe konkretisht?
Të ushtruarit njëherësh të rolit të gazetarit dhe atij të politikanit është ndoshta gjëja më e natyrshme që mund ti ndodhë dikujt si në rastin tim, po të kemi parasysh së të dyja bashkohen në një pikë të vetme: Te komunikimi. Komunikimi është rruga direkte si për gazetarin ashtu edhe për politikanin, për të arritur tek njerëzit. Në të gjitha teoritë e komunikimit pranohet se komunikimi politik nuk është gjë tjetër, veçse kombinimi i politikës, medias dhe publikut. Kush është e keqja që dikush ti ketë njëherësh këto dy dimensione brenda vetes, për të komunikuar si politikan nga media apo si një njeri i medias në politikë, direkt me publikun? Në epokën e revolucionit të teknologjive digjitale dhe të rrjeteve sociale, komunikimi i politikanëve ndryshe nga sa më parë, është bërë gjithnjë e më direkt me njerëzit. Politikanët po vlerësohen gjithnjë e më shumë sot, nga raporti i drejtpërdrejtë komunikativ që ata kanë vendosur ose që nuk arrijnë të vendosin me votuesit dhe ndjekësit e tyre. Kjo është një tendencë që do të vijë e do të thellohet në të ardhmen, në përpjestim të drejtë me evolucionin e kulturës dhe instrumentave të komunikimit publik. E ku ka më mirë për një politikan që të zotërojë artin e komukimit të drejtpërdrejtë me njerëzit, pa patur nevojën e filtrave dhe ndërmjetësve të tjerë, të cilët jo rrallëherë e kanë devijuar apo shfokusuar me apo pa dashje, mesazhin? Njerëzit e angazhuar publikisht janë ata që e kanë shpikur edhe thënien: Shfaqem pa ekzistoj! Kemi edhe në Shqipëri, me dhjetra e qindra raste deputetësh, ministrash, kryetarësh bashkie, prefektësh e drejtuesish të rëndësishëm të partive politike, që nuk shfaqen. Ndaj, herët ose vonë ata i keni parë që të dalin nga skena e të zëvendësohen me të tjerë që dinë të ruajnë balancën mes produkteve politike që realizojnë në veprimtarinë e tyre dhe shfaqjeve e komunikimeve të tyre publike. Pasi ke punuar për çerek shekulli si profesionist, të qenurit gazetar është shndërruar tashmë në një mënyrë jetese për mua. Po të kemi parasysh edhe atë që thoshte Petro Marko se në këtë botë vetëm ish-gazetarë nuk ka, atëherë kuptohet edhe më qartë se çfarëdo që të bësh, gazetaria është përjetësisht brenda teje, edhe kur je në politikë ose në ndonjë profesion tjetër, që ka lidhje me komunikimin dhe marrëdhëniet me publikun.
Çfarë funksionesh mediatike dhe politike keni dhe a nuk bien ndesh këto dy funksione me njëra-tjetrën jo vetëm në parim por edhe gjatë ushtrimit të secilit prej tyre ose të dyve njëherësh?
Aktualisht jam sekretar për Marrëdhëniet me Mediat e Shoqërinë Civile dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Nga 2013-2017 kam qenë nën Kryetar i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Në media të ndryshme ftohem për të dhënë opinionet e gjykimet e mia si gazetar apo si analist. Titulli “analist” nuk është profesion, as diplomë, as gradë shkencore dhe as një zeje për të cilën duhet të kesh një licensë. Analist kudo në botë por edhe në Shqipërim konsiderohet ai grup profesionistësh që zotërojnë njohuritë e duhura, kanë kulturë, informacion, artikulim dhe mekanizmin analitik për të bërë prognoza, për të dhënë gjykime mbi zhvillimet, tendencat dhe fenomenet e jetës shoqërore, deduksione, konkluzione duke parë përtej fasadës së asaj që duket në sy të publikut. Kjo e ndihmon edhe vetë opinionin që të orientohet për të kuptuar më mirë dhe për të parë më qartë me sytë e mendjes përsenë e zhvillimeve, pasojat dhe tendencat e tyre në të ardhmen, mbi vendin dhe jetën e tyre. Analist nuk cilësohen vetëm gazetarët, por edhe profesionistë, studiues e ekspertë të shumë fushave të tjera, që kanë aftësi të shkruari apo komunikimi në media, që japin gjykimet e tyre rreth çështjeve me interes publik. Duke qenë se gjatë aktivitetit tim politik më së shumti jam marë me raportet me mediat dhe publikun, kjo e shpjegon edhe më mirë se përse nuk ka patur asnjë përplasje mes politikanit e gazetarit brenda meje. Përkundrazi, ajo që ndjej është se ato po harmonizohen gjithnjë e më shumë me njëra tjetrën. Tani që e mendoj, edhe kur jam marë me fushata elektorale, edhe me organizime të ndryshme partiake, kur kam drejtuar Sekretariatin e Organizimit Digjital të PS, e kam menaxhuar çështje të tjera të natyrës politike apo gjatë procesit ligjvënës në Parlament, kuptoj se gazetari është një garanci më shumë për ta bërë gjithmonë e më mirë politikanin, në të ardhmen.
Disa kolegë gazetarë, të pyetur rreth kalimeve nga gazetaria në politikë dhe anasjelltash, shprehin rezervat e tyre duke i konsideruar si bashkim të dy pushteteve në një, gjë që krijon një lloj ambiguideti, sipas tyre, të paprecedent. Ju si i pergjigjeni kësaj vështirësie?
Përse, për shembull, nuk është thënë asnjëherë se një politikan, që është edhe një biznesmen shumë i pasur, krijon një ambiguitet mes pushtetit tij politik si legjivënës dhe atij ekonomik? Përse nuk është thënë asnjëherë se biznesmenë të pasur që janë jo vetëm deputetë, por edhe pronarë mediash, nuk e krijojnë ambiguitetin mes pushtetit ekonomik, politik dhe pushtetit të katërt, mediatik? Përse një President si ai i SHBA, në demokracinë më të madhe të botës së lirë, nuk ka ambiguitet mes të qenit një ndër njerëzit më të pasur të planetit, (pra me pushtet të madh ekonomik por edhe) me pushtet politik dhe ekzekutiv? Përse atëherë (këtë ambiguitet e krijoka vetëm) një gazetar që sot e bën politikanin jashtë Parlamentit dhe jashtë qeverisë?! Kur e mendoj se Indro Montaneli, një nga ikonat e gazetarisë italiane thoshte se “intelektualët janë si mafia, vriten mes njëri- tjetrit”, e kuptoj edhe më mirë “shqetësimin” që sillka një gazetar politik, që bën politikanin si gazetar. Ndjesë për të gjithë ata, që e mendojnë këtë gjë siç ju e përmendët, jashtë kontekstit të Montanelit, por nisur pafajësisht vetëm nga bindja e tyre e pastër.
Cilat janë sfidat dhe mundësitë që vë perpara jush të qenit njëherësh gazetar dhe politikan?
Sfida kryesore për të qenë njëkohësisht gazetar dhe politikan, ka të bëjë me balancën, ekuilibrin e harmoninë mes artit të shpjegimit dhe artit të ndryshimit të realitetit. Gazetaria të jep mundësinë që ta shpjegosh botën, ndërsa politika për ta ndryshuar atë. Nëse ke mundësinë për të dhënë modestisht kontributin brenda sistemit, në mënyrë që ai të evoluojë e të zhvillohet, për tiu përgjigjur gjithmonë e më mirë nevojave të qytetarit, sfidave të brendshme e të jashtme të vendit dhe zhvillimit social- ekonomik të shoqërisë, ke mundësi që nëpërmjet “gazetarit” brenda teje, tia shpjegosh e tia transmetosh më mirë këtë, edhe të tjerëve.
Ju a njihni apo ndiqni nje model apo praktike te ngjashme te gazetarit-politikan, referuar vendeve te tjera?
Fenomeni i gazetarit- politikan është po aq “i vjetër” sa edhe vetë ky profesion. Joseph Pulitzer, emrin e të cilit mban sot çmimi më prestigjoz për gazetarinë në botë, është ndër shembujt e parë. Gazetari dhe botuesi i famshëm hungarezo-amerikan i pjesës së dytë të shekullit XIX e i fillim të shekullit të kaluar, ka qenë politikan gjithashtu. Në zgjedhjet parlamentare në shtetin e Missourit Partia Republikane e paraqiti atë si kandidat të saj më 1869, në një kolegj të cilin demokratët e konsideronin bastionin e tyre. Ai u zgjodh duke e mundur kandidatin kundërshtar. Vite më pas Pulitzer, nga republikan u bë në vitin 1885, deputet i Partisë Demokratike. Pas kësaj, politika botërore është e mbushur me shembuj të pafund të ga zetarëve që u bënë politikanë. Madje jo politikanë dosido, por deri udhehqës famëmirë apo famëkeq të shteteve të tyre, duke luajtur rol në periudha të ndryshme të historisë, edhe mbi fatet e kontinentit tonë, apo njerëzimit. Lista është e gjatë dhe shkon nga Ëinston Churchil e deri tek Benito Musolini. Nga Jim Hacker e deri tek Sarah Palin. Ky fenomen është po aq i njohur e i përhapur edhe në Shqipëri, duke nisur nga ish Kryeministri Fan Noli e deri tek Dritëro Agolli, që kanë qenë gazetarë e janë marë me politikë. Vetëm pas 1990 kemi një listë pafundësisht të gjatë gazetarësh që kanë dhënë kontributin e tyre të vyer në zhvillimet politike në Shqipëri. Duke nisur nga Namik Dokle, Musa Ulqini, Halil Lalaj, Teodor Keko, Preç Zogaj, Mitro Çela, Kiço Blushi, Diana Çuli, Rudolf Marku, Besnik Mustafaj, etj. e deri tek Majlinda Bregu, Sokol Olldashi, Ben Blushi, Astrit Patozi, Ilir Gjoni, Nikoll Lesi, Ardian Myslymi, Alfred Dalipi e Erion Braçe, etj. që janë pjesë e këtij fenomeni. Kush më shumë e kush më pak, secili prej tyre e ka ushtruar edhe politikën kur ishte gazetar, por edhe gazetarinë në politikë. Statuset e tyre të përditshme në rrjetet sociale, komentet, shkrimet, analizat, opinionet, intervistat në mediat e printit dhe nëpër radiotelevizione, e deri tek fjalimet e tyre në parlament dhe botimet publicistike, nuk janë gjë tjetër veçse vazhdim i politikës me mjete gazetareske dhe vazhdim i gazetarisë me mjete politike.
Si i shihni kalimet definitive nga gazetaria në politikë dhe nga politika në gazetari, në rastin shqiptar? Me çfarë efektesh sipas jush për hapësirën dhe komunikimin publik?
Ky fenomen e ka ndihmuar besoj diskursin politik dhe artin e komunikimit publik në përgjithësi, duke e pasuruar atë. Niveli i diskutimeve, debatit, fjalimeve, publicistikës politike, fjalorit, gjuha dhe analizës e opinionbërjes do ishin shumë më të varfëra në këto 30 vitet e fundit në Shqipëri, pa kontributin e çmuar të gazetarëve në politikë. Kjo ka qenë nevojë dhe kontribut i mirëpritur në çdo kohë si nga partitë politike vetë, ashtu edhe nga opinioni publik dhe zgjedhësit në përgjithësi. Kontributi “natyror” i një klase profesionistësh të komunikimit në politikë, e ka bërë besoj mjedisin politik më të artikuluar, komunikimin publik më kreativ e profesional dhe Shqipërinë pak më të mirë. Ndërsa kalimi nga politika në gazetari, e ka furnizuar me median me më shumë informacion rreth mënyrës së funksionimit nga brenda të sistemit politik në tërësi, shtetit, por edhe raporteve, ndërvarësisë e ekuilibrave mes tri pushteteve. Kjo i ka bërë pushtetet më të kontrollueshme dhe median më të pjekur, më realiste dhe me një qasje e shikim tërësor të zhvillimeve, duke ndërthurur teoritë e komunikimit politik, me praktikën e funksionimit në realitet të sistemit. Askush nuk humb nga arti i komunikimit. E kundërta është e vërtetë. Ndaj edhe nëse gazetarët nuk është e thënë që të bëhen të gjithë politikanë, e sigurtë është se në epokën ku jetojmë, politikanët e kanë jetike të jenë gjithnjë e më shumë “gazetarë”.
Në përballjen publike me një politikan, çfarë roli profesional duhet të luajë një gazetar sipas jush?
Roli i gazetarit përballë një politikani besoj se duhet të jetë ai i përçimit në mënyrë profesionale të zërit, halleve, shqetësimeve, nevojave dhe ndjesive të qytetarëve. Në këtë rast gazetari është një lloj ndermjetësi, një lloj “ure”apo “hallke” lidhëse, mes popullit dhe të zgjedhurve prej tij. E nga ana tjetër, është edhe ne rolin e një pasqyre për ti mundesuar gjithkujt të shohë ne te sa më qartë, mënyrën e qeverisjes së tyre ne raport me sfidat, premtimet, mundësitë dhe nevojat reale të shoqerise, fashave dhe grupeve të ndryshme të interesit. Roli i dikurshëm i gazetarit si gardian i interesit publik, tani në epoken e revolucionit të teknologjive digjitale dhe rrjeteve sociale, është duke u ridimensionuar. Raporti i shoqerisë me median nuk është më “vertikal” si dikur por “horizontal”. Sepse ka rënë monopoli i informacionit si pronë ekskluzive e elitës së pushtetit. Gjithkush që ka një kompjuter me internet dhe një telefon inteligjent, është sot një gazetar, botues e producent për aq kohë sa mund të flasë, shkruajë, komentojë, debatojë, postojë tekst, fotografi, video dhe të prodhojë e shperndajë produkte mediatike, duke pasur probabilitetin teorik qe të ndiqet nga të gjithë, kudo e kurdo. Kjo nuk e eleminon profesionin, e aq më pak rolin e gazetarit. Përkundrazi. Është pak a shumë si me mënyrën e funksionimit të ushqyerjes së perditshme. Sa më shumë përmirësohet kultura e gatimit, e ushqimit të shëndetshëm në familjet tona, aq më shumë sofistikohet dhe shndërrohet në art profesioni i shefave të kuzhinës, të cilët tashmë janë ndër profesionet më të vlerësuara e të kërkuara. E njëjtë do të jetë pak a shumë në të ardhmen, edhe ajo e gazetarëve të vërtetë profesionistë.
Çfarë rolesh të rëndësishme gjykoni se kanë luajtur dhe luajnë gazetarët përballë politikanëve në Shqipëri?
Opinioni publik në Shqipëri mund të mos bjerë dakord me shumë qasje profesionale të gazetarëve përballë politikanëve përgjatë këtyre 30 viteve të fundit. Por, askush nuk mund ta mohojë dot rolin që ata kanë luajtur në zhvillimet më të rendësishme të vendit. Qofshin këto në momentet e tensioneve sociale, gjatë periudhave të trazirave, fushatave zgjedhore, referendumeve, krizave politike por edhe në perditshmerinë e vijimit të jetës normale të vendit. Politikanët kanë ndjerë gjithmonë e më tepër me kalimin e viteve, se nuk janë të plotfuqishëm, të gjithëpushtetshëm, të pakontrollueshëm dhe njerëz që nuk mund të japin llogari për punët, gabimet dhe përgjegjësitë e tyre përpara zgjedhësve që ua kanë deleguar atyre pushtetin me votë, për ti qeverisur. Ka pasur edhe shumë abuzime, gabime, mungesë profesionalizmi, lulëzim të fenomenit të “fake news”, përdorim dhe vetëpërdorim politik apo për arsye të tjera nga ana e trupës së botuesve të gazetarëve dhe medias shqiptare, në zhvillimet e shoqerisë sonë përballë klases politike dhe elitës së saj.
A ndieni se ka tensione dhe rivalitet ndërmjet gazetarëve protagonistë dhe politikanëve shqiptarë në terma intelektualë, profesionalizmi, kulturorë ose pushteti?
Do ishte një momentum i mbramë për Shqipërinë nëse do të kishte realishtnje rivalitet mes gazetarëve protagonistë dhe politikanëve tanë në termat e sferës së eperme të dijes dhe ideve. Modelet e emisioneve tona të debatit politik ne televizione, si arenat kryesore të këtij ballafaqimi, edhe po të duash, nuk ta japin këtë mundësi. Pasi më shumë sesa ballafaqime, përplasje e kryqezime idesh, dijesh, vizionesh, kulturash, tendencash, krahasimesh dhe trendesh të reja të debatit publik, ato jo rrallë shihen si arena “gladiatorësh” publikë. Në fund, bilanci bëhet me “të vrarë”, me ” të plagosur”, me numër dhe madhësi “plagësh” që i ke shkaktuar personalisht kundërshtarit përballë, sesa me bilanc dhe terma profesionalë. Por, sigurisht, që përtej kësaj shije të përgjithshme që krijohet në opinion herë pas here ka në një grup, klasë apo elitë të caktuar gazetarësh dhe politikanësh profesionistë, një rivalitet të tillë. Ai ndihet në sferën e analizës, opinionbërjes, tezave, ideve që percillen publikisht nëpërmjet medias apo debatit në Parlament, komisionet parlamentare, gjatë takimeve e ballafaqimeve publike me qytetarët, gjatë fushave elektorale etj. Një rivalitet i tillë ka pasur periudhat e veta më të mira besoj në vitet ’30 dhe në fillim të vieteve ’90 në historinë e Shqipërisë. Ka një përpjekje për ta rikthyer këtë rivalitet në kushtet e reja. Por ka gjithmonë e më pak botime shqiptare në sferën e publicistikës politike e mediatike, që do të na ndihmonin ta bënim më saktë dhe më mirë, këtë ballafaqim. Nëse ka një rivalitet deri diku, ai është në sferën e pushtetit. Ekziston një elitë gazetarësh, që kanë më shumë pushtet real në sferën publike praktikisht, sesa shumë politikanë, sidomos në raport me armatën e përhershme të deputetëve anonimë të Parlamentit.
Cila është natyra e maredhenieve të këtyre aktorëve, që dominon, sipas jush, mjedisin politik dhe mediatik në Shqipëri?
Natyra e marrëdhënieve mes këtyre dy poleve është formësuar duke marrë edhe në Shqipëri, pak a shumë, trajtën dhe natyrën e marrëdhenieve në shoqëritë e tjera demokratike me më shumë tradita se ne në këtë lëmë. Vendi ynë ka një veçori në këtë drejtim, i cili në njëfarë mase, na jep një lloj identiteti në këtë drejtim. Mediat tradicionale në Shqipëri, televizionet kryesisht, por edhe gazetat,megjithë ndikimin e tyre në rënie të lirë, kanë unifikuar si rrallëkund pronësinë me drejtimin e tyre editorial. Shndërrimi i mediave në prona familjare i bën ata që të vendosen në lidhje të shkurtra direkte në kontakt me elitën politike të vendit, pa filtrat dhe ndërmjetësinë e menaxherëve, gazetarëv dhe bordeve drejtuese profesionale. Kjo bën të besosh se natyra e marrëdhënies mes aktorëve që dominojnë mjedisin politik dhe mediatik në Shqipëri, të jetë pak më “interesante” për t’u hulumtuar sesa ajo në vende të tjera.
Si e kanë ndikuar këtë mjedis, sipas jush, kalimet nga gazetaria në politikë dhe nga politika në gazetari?
Kalimet nga gazetaria në politikë dhe nga politika në gazetari nuk kanë edhe aq shumë lidhje me këtë specifikë të Shqipërisë. Sepse, përgjithësisht, në politikë nuk janë futur botuesit, por gazetarët, përgjithësisht profesionistë, të cilët, për shkak të kulturës së tyre, vokacionit dhe ndikimit në opinionin publik, janë thirrur individualisht apo janë bërë natyrshëm pjesë e listave të kandidatëve dhe më pas e deputetëve të partive politike parlamentare. Fenomeni i kalimit nga gazetaria në politikë apo anasjelltas, është i vjetër sa vetë ky profesion. Madje, për të gjithë ata që kanë ndjekur trendet më avangardë të mediave të reja botërore, duhet të kenë kuptuar se ndoshta tashmë po shkohet, drejt një tendence tjetër. “Netflix” i ka ofruar çiftit presidencial Obama një kontratë shumëvjeçare për prodhimin e emisioneve televizive dhe filmave për shërbimin televiziv. Por, ata nuk janë të vetmit që pasi kanë lënë politikën, ushtrojnë median, qoftë në rolin e komentatorëve dhe analistëve politike, apo edhe në funksione të tjera. Çka do të thotë, se përtej traditës së botimit të librave me kujtime pas mbylljes së karrierës politike, mund të kemi gjithnjë e më shumë politikanë që hyjnë në gazetari apo në botën e showbizit, sikundër deri më tani gazetarë që kanë hyrë në politikë.
Gazetarët apo politikanët, cilët prej tyre u janë përgjigjur më mirë proceseve demokratike, përgjegjësive civile dhe zhvillimeve të reja në tregun e mediave dhe në domenin e politikës, sipas jush?
Përgjatë këtyre tri dekadave të fundit, gazetarët dhe politikanët, media e klasa politike në tërësi, kush më shumë e kush më pak, kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimet e proceseve demokratike të vendit. Ka pasur periudha kur politika u ka parprirë zhbillimeve të ndryshme të panjohura më parë për një shoqëri se e jona, e dalë pas gjysmë shekulli nga izolimi nga një diktaturë ideologjike dhe pa tradita demokratike. Sikundër, ka pasur periudha kur gazetarët dhe mediat janë ngritur në lartësinë e misionit të tyre për të qenë avangardë të zhvillimeve të vendit. E nga ana tjetër, ka pasur edhe periudha të errëta apo të sinkronizuara pozitivisht ndërmjet tyre. E rëndësishme është që, në përgjithësi, ky raport ka funksionuar sipas parimit të enëve komunikuese, duke balancuar, sinkronizuar dhe amortizuar njëra-tjetrën. Duke mbajtur në ekuilibër dhe në këmbë gjithsesi sistemin tonë të brishtë e delikat hera-herës.
Kush arrin kryesisht t’i përkufizojë, sipas jush, ngjarjet dhe zhvillimet në Shqipëri, gazetarët apo politikanët?
Ngjarjet dhe zhvillimet në Shqipëri, përgjithësisht i përkufizojnë si shumë vende të tjera të shoqërive demokratike, mediat dhe gazetarët, krahas filozofëve, shkrimtarëve, studiuesve, shkencëtarëve, historianëve, etj. Kjo nuk do të thotë se edhe politikanët nuk ndihmojnë në këtë proces. Sepse nëpërmjet artit të komunikimit publik, ata shpeshherë sqarojnë dhe mundohen të qartësojnë dhe përkufizojnë përsenë e vendimmarrjeve të tyre, në raport me interesin publik dhe procesin e qeverisjes e ushtrimit të pushtetit.
Çfarë rolesh të reja mund ose do të duhet të luajnë, sipas jush, gazetarët përballë politikanëve në kontekstin e mediave të reja dhe rrjeteve sociale në Shqipëri?
Ballafaqimi i fakteve dhe kryqëzimi i provave, programeve, premtimeve, gazetaria investiguese dhe analizat krahasuese, krijimi dhe ushtrimi i një presioni pozitiv mbi pushtetet në përgjigjësi dhe klasën politike në veçanti, sot është cilësisht më i mundur se dje. Transparenca, e drejta dhe detyrimi i informimit të opinionit publik, tashmë nuk është më një opsion, por gati-gati një aksion.
Në retrospektivë, gazetarët e cilës periudhë mendoni se kanë luajtur rol më të rëndësishëm në Shqipëri përballë politikanëve?
Ka shumë raste, ka disa momente dhe pak periudha sigurisht, kur gazetarët kanë luajtur rol më të rëndësishëm përballë politikanëve në Shqipërinë e postkomunizmit. Në periudhën 1991-1992 dhe 1997-1998, për shkak të momenteve shumë të vështira, nëpër të cilat kaloi vendi, ky rol ka dalë më në pah, duke e bërë gazetarinë një profesion, i cili diti të ngrihej në lartësine e rolit që kërkoi koha dhe nevoja e shoqërisë.
Së fundmi, çfarë prirjesh vini re në marredheniet e mediave shqiptare me sektorë të tjerë të shoqërisë, si për shembull, me biznesin apo me universitetet dhe shoqërinë civile?
Ka pasur një ndarje pothuajse si me thikë në raportet mes medias dhe sektorëve të tjerë të shoqërisë në vitet e para të tranzicionit. Fillimisht, media funksiononte pak a shumë si një “ishull” i shkëputur nga trupi i shoqërisë, në kuptimin që konsiderohej si një profesion i informimit dhe i argëtimit e orientimit të opinionit publik, pa shumë lidhje direkte me tregun, biznesin e shoqërinë civile. Kjo, ndoshta edhe për shkak të mungesës së traditës e përvojës, për shkak të ardhjes nga gazetaria ideologjike e propagandës së dikurshme të regjimit komunist. Më pas, dalëngadalë, me krijimin e klasës së re të gazetarëve, përvojës dhe hapjen e konsodolimin e shkollës së gazetarisë, kjo marrëdhenie mori trajtën e “gadishullit”, derisa tani, duket sikur është berë pjesë natyrore e territorit vijues të “kontinentit” tonë shoqëror. Gjithsesi, është pjesë e një procesi të pandalshëm, që ka ende nevojë për konsolidim, hamornizim dhe koordimim në të mirë të interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Çfarë tregojnë, sipas jush, etiketimet dhe emërtimet reciproke mes politikanëve dhe gazetarëve të tilla si “kazan” apo “kadri”, versus banda, trafikantë dhe hajdutë?
Ka një qasje interesante mes të singjashmëve kur përballen si politikanë me ish kolegët gazetarë dhe anasjelltas. Kjo shihet në raportin mes Kryeministrit Edi Rama dhe gazetarëve, por edhe në ndonjë rast tjetër. Duke qenë se shefi i ekzekutivit për një periudhë të gjatë, përpara se të përfshihej në politikë por edhe pak më pas, ka ushtruar rregullisht publicistikën dhe gazetarinë. Ai ka qenë pjesë e të njejtës botë, ambjente dhe shoqëri me shumicën e gazetarëve, përfshi edhe ata që sot janë ndër më kritikët ndaj tij. Në këto kushte, me sa duket sipas edhe teorive psikoanalitike, kufiri mes koshiencës, nënkoshiencës e subkoshiencës për ta trajtuar tjetrin si të singjashëm ende, është aq poroz sa me siguri që meriton një studim shumë më të thelluar për këtë rast. Gjithësesi, teprimet ngado që të vijnë ato, asnjëherë nuk janë të pranueshme, por me sa duket nuk do mungojnë as në të ardhmen. Prishja e sasisë së etiketimeve, në disa raste, prish edhe cilësinë e komunikimi publik mes medias e politikës, si një ndër komunikimet më të rëndësishme në epokën moderne. Por, rasti i raportit të Presidentit Trump me median, gazetarët dhe botuesit,- për shkak të peshës dhe rolit global të SHBA edhe në këtë drejtim,- duket se po e ridimensionon këtë qasje planetare. Shefi i Shtëpisë së Bardhë është një politikan atipik dhe sjellja e tij në këtë drejtim është atipike në raport me atë që deri dje konsiderohej se duhej një komunikim “politikisht korrekt”. Epoka e rrjeteve sociale me sa duket mund ta ndryshojë njëherë e përgjithmonë këtë qasje. Në kushtet kur lideri politik dhe politikanët në përgjithësi komunikojnë direkt me njerëzit, kjo me siguri që do të ndikojë për ta ridimensionuar rolin e zyrave të shtypit dhe zëdhënësave në të ardhmen. Por kjo nuk do të thotë se “fake news”, sharjet, fyerjet, akuzat e pabaza dhe prishja e kodit të etikës së komunikimit, janë të përligjura.