• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 8 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

8 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
INTERVISTA/ Dëshmia e rrallë, 98-vjeçarja: Vuajta në internim bashkë me djemtë e mi
Home
Intervista

INTERVISTA/ Dëshmia e rrallë, 98-vjeçarja: Vuajta në internim bashkë me djemtë e mi

29 August, 2018 g.autor Dossier, Intervista

Dëshmia e rrallë e 98-vjeçares Marte Biba Doçi, e motra e “Heroit të Popullit”, Bardhok Biba, e cila sfidoi regjimin komunist duke mos pranuar të futej në kooperativë në Laç të Kurbinit, ku banon që nga periudha e Monarkisë së Zogut.

Rrëfimi: “Si e kundërshtova dhe e godita me shpullë kryetarin e Këshillit dhe shefin e Policisë Laçit, Reshat Gjyli, që erdhën në shtëpi për të më futur forcërisht në kooperativë”

Nga Dashnor Kaloçi

Duke qenë një familje dëshmori, apo si motra e Heroit të Popullit, Bardhok Biba, mund dhe do të kishte përfitur shumë nga ai regjim, si shumë familje të tjera kudo nëpër Shqipëri dhe më e pakta do kishte kaluar një jetë të paqtë pa shumë andrralla. Madje jo vetëm kaq, por po t’i kishte bërë sadpo pak “duva” atij pushteti, do kishte përfituar shumë e shumë lavdi e privilegje, po të kemi parasysh edhe faktin se; personalisht Enver Hoxha do të shkonte disa herë për vizitë në shtëpinë e Bardhok Bibës në Rrëshen, do të çonte djalin e tij me nusen (Ilirin me Teutën) te dasma e Marie Bibës, (madje edhe me dhurata), të cilën e ftonte edhe në Tiranë në raste festash, përvjetorësh, apo Kongrese, si p.sh. në Kongresin e 8-të të PPSH-së, ku në Pallatin e Brigadave, vetë Enveri do t’ia merrte valles me Marien, duke iu thënë me mburrje delegatëve të tjerë: “E kam vajzën e shokut tim të Luftës”?! Gjëra të cilat “shoku Enver”, nuk i kishte bërë kurrë me asnjë prej figurave kryesore të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe emblematike të propagandës e historiografisë së regjimit komunist, si p.sh. Qemal Stafa, Vojo Kushi, Vasil Shanto, Misto Mame, Alqi Kondi, Vasil Laçi etj etj, shokë e bashkëpunëtorë të afërt të tij që i kishin familjet në Tiranë?!

Por Marte Biba Doçi duket se as ka dashur t’ja dijë fare për këto gjëra dhe me vetëdije të plotë ajo dhe familja e saj nuk pranoi asgjë nga ai pushtet, asnjë nga priviligjet që u bëheshin familjeve të dëshmorëve, apo e Heronjve të Popullit, siç ishte i vëllaj i saj, Bardhok Biba?! Madje ajo zgjodhi të kundërtën, duke e kundërshtuar politikën e atij regji bash në një nga pikat kryesore të reformave me të cilën mburrej ai regjim, te “kolektivizimi i fshatarësisë”, pasi Martja me familje e saj nuk pranuan kurrë që të hynin në kooperativë.

Gjë për të cilën do të kishin pasoja të rënda, duke përfunduar familjarisht burgjeve dhe internimeve të atij regjimi për vite me rradhë. Dhe si për t’i qëndruar konseguente deri në fund bindjeve dhe traditës së familjes të saj, ashtu siç i takonte një “bijë që rridhte nga familja e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit”, Martja shkoi e vetëdijshme në burg, duke mos pranuar të firmoste në gjyq një dokument ku thuhej se “ishte e dalme mëndsh”, gjë e cila nuk qëndronte dhe ishte një kompromis që pushteti i asaj kohe kërkonte ta bënte jo për tw shpëtuar Marten, por për veten, që të mos diskretitohej nga “njerzit e vet”, siç konsiderohej dhe ishte familja e Bardhok Bibës. Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte nga jeta e saj, 98-vjeçarja Marte Biba Doçi me një memorje brilante dhe shëndet fizik si jo më mirë, na i rrëfen për here të pare në këtë intervistë të cilën po e publikojmë pa i ndryshuar asgjë dhe gjithashtu në dialektin e saj.

Znj. Marte, si e kujtoni Bardhokun e vogël?

Bardhokun po e mbaj, ishte djalë i shoqnueshëm, djal mos me tanu (ngacmu) njeri, djal i dashtun me t’gjith, me heq kafshatën e gojës veç me e hangër shoqi, djal që s’fliste kush një fjalë të keqe për të.

Ku u shkollua Bardhoku?

Në Konvikt të Oroshit dhe në Shkodër. Me halle se nuk kishim asnjeri në punë, se atëherë nuk kishim asnjë përkrahje….

Si e mbani mënd familjen tuaj në periudhën e para Luftës?

Na ka pa internu Nemcja, (flet për periudhën e Austro-Hungarisë. Shënimi ynë. D.K.), na ka pa djeg konaqet, na ka pa ba të 99-at….

Sa vetë bëheshit në familjen tuaj në atë kohë?

Baba, Biba, nana më vdiq, vëllaznit ishin të vogël, pas meje të dy, motra tjetër…. Bardhokut i patën vra vëllanë, Markun, 18 vjeç. I patën djeg shtëpiat tre katëshe, të Kol Marka Kolës dhe dy katëshe të Bib Marka Kolës, të axhës dhe të babës dhe vranë Marka Bibën, dorzohu, dorzohu dhe s’u dorzu. E kan pas rrethu me 50 burra dhe s’u dorzu, për arsye se do ta vritshin herën e fundit.

Po Bardhoku ku ishte në atë kohë?

Bardhok Biba ishte në mal dhe u lidh me një parti andej nga Bashkimi Sovjetik thanë…., edhe erdh me Partinë Komuniste. Atëhere kur ky u lidh me Partinë Komuniste, thanë humbi Bardhok Biba…, s’dijshim se ku është. Kishte pas shkue në Bashkimin Sovjetik me shokë, kështu thojshin atëhere. Erdh atëhere me shokë dhe kta shokt e vet e zgjodhën deputet dhe i pari i Partisë së vet ktu n’Mirditë.

Familja juaj ishte nga dera e Kapidanit të Oroshit, pra kushërij me Gjonmarkajt, si e pritën ata faktin se Bardhoku u lidh me Partinë Komuniste?

Kapidanit (Gjon Marka Gjonit) i erdh keq se Bardhok Biba u lidh me Partinë Komuniste.

Si e kujton atë ditë të vrasjes së vëllait tuaj, Bardhokut?

Vrasjen, po, e kujtoj shumë mirë. I erdh një lajm me dalë në Qafë të Valmerit, me mbledhun shok e shoqe me i dërgu në punë, në Maliq të Korçës më duket. I thotë kjo e shoqja, Mrika, jam duke larë rrobat. Kishte nxjerr një kazan të madh dhe kështu punësh….I thotë mblidhi rrobat dhe qiti mbrenda se më ka ardh një lajm, se duhet të jem në filan vënd patjetër.

Kurse Mrika ia kthej: “Pash-zotin or Bardhok, i thotë Mrika, na ndave me këtë plak dhe me këtë vajzë, mos…”

“S’jam duke të ndarë moj…”, ia ktheu Bardhoku.

Po Mrika sikur ta paranjente dhe vazhdoi tuj e kundërshtu: “Përzotin jan duke të vra….Do të kallxoj një andërr i thotë…”Po Bardhoku s’e la me fol ma, çohu i tha….po shkojm…

Pra Bardhokun e njoftuan se duhet të shkonte për një punë partie…?

Po po, ashtu i tha dhe Mrikës: “Më ka ardh një lajm se duhet me mbledh njerz e me i dërgu në Maliq të Korçës”, ku u bante panxhari, me mbledh puntori. I thanë në telefon: “Bardhok, hajde vetë, se nuk na mblidhen njerzit me i dërgu kund”. U çua dhe shkoj vetë në Qafë të Valmirit, me u sqaru me njerzit…! Ju shkoj në gojë…, ku kishin ardhur diversantat, ra me parashutë kushedi se sa ditë e kohë përpara…!

Kush kishte shkuar përpara në Qafën e Valmirit?

Kishte shkue Nue Pjetri, Ndue Pjeter Gjomarku me shokë, ishte në Shkodër ai, bënte mbledhje me diversantët…!

A e dinte Bardhoku se ata të Komitetit të Maleve i kishin vënë pritat…?

Posi s’e dinte…, e dinte që ishin vu pritat, ishte thyer kufiri, kishin dal natën pa u pa, kishin forcue forcat, me u vra Bardhoku, o me vdek, o me u vra. Pooo, Bardhoku e dinte për ata, i çuan fjalë, kishte ardh nga Italia, Ndue Pjetër Gjonmarku, kushëri i dytë, a e kupton, i jati me babën tim, babat vëllazën.

Po pse u nis Bardhoku për atje…kur e dinte se i kishin vënë pritat?

Po Bardhoku nuk mendonte se; më vret Mirdita mue, Bardhokun e dojshin shumë, pleqt e plakat, e dojshin, i tha, Sulejman Manoku, (nuk e di a është gjall apo vdek), i tha: “Bardhok, mos u nis”…, e kjo e shoqja, Mrika, po kështu i tha, mos u nis. Po Bardhoku u nis e shkoj se i çuan fjalë, hajde i thonë, me mbledh puntorinë me i dërgu në punë…!

Dhe Bardhoku shkoi bashkë me Mrikën….?

Pooo bashkë shkun…, por Mrika iu lut prap: “Pash-zotin mos më ndaj me këtë fëmij”…, kishte Marien të vogël.

“S’jam duke të ndarë moj, edhe me vdek unë, shokët e Partis së Punës, patjetër, të vënë dorë dhe nuk të lënë me vdek për një kafshat bukë….”.

“Pash zotin mos më ço n’atë ditë…”, ia ktheu Mrika.

“Hajt, i thotë Bardhoku, “merre Marien para gjunjësh”, dhe hipi vetë në kalë, vuri vajzën, Marien, në kalë edhe të shoqen Mrikën para dhe u nisën me shku për atje, ku këta përpara kishin shku në Qafën e Valmerit. Tuj ec… ranë në pritë në Qafë të Valmerit, Bardhoku ishte me nja shtatë a tetë vetë, vra Bardhokun, u bë rrëmuja e dynjasë….!

A keni qenë ju në varrimin e Bardhokut?

Kur është varros Bardhok Biba…, posi s’kam qenë, e mbaj mënd, erdh gjeneral-leijtant Mehmet Shehu, erdh Gjin Mark Toma, erdhën 20 ushtarakë, edhe bënë një ceremoni…., dhe kur e lëshuan arkivolin në varr, bënë një batare pushkë, si Partia e Punës kur gjuante, ligj i shtetit….

Është thënë se babaj i Bardhokut, Biba, i ka kërkuar Mehmet Shehut që të mos arrestonte dhe pushkatonte njerëz pa faj, pra ata që nuk kishin gisht në vrasjen e Bardhokut. A e kujtoni ju këtë gjë?

Pooo, si nuk e kujtoj. I tha baba Mehmet Shehut: “Faj e pa faj mos i merrni popullin, aman…, unë pa djal jam, e kam dal fare, përzotin i tha, ç’farë din me ba vetë, këta do të bëjn, pash-zotin faj e pa faj, mos e merrni popullin në qafë, qe besa e zotit…”

Si iu përgjigj Mehmeti?

Mehmet Shehu i tha: “Do të vrasim 101 burra për Bardhok Bibën”, …përzotin s’jam duke e thënë unë, por përzotin kështu tha Mehmet Shehi, “s’e ka lënë shokun të gjallë”, tha Mehmet Shehu për Bardhok Bibën, “101 burra do të vras…”

“Pash zotin”- i tha baba, “faj e pafaj pash zotin në qafë njeri mos merr”….edhe ata kryen detyrën e vet….! Enveri katër i ka varë n’litar dhe dhjetë i ka pushkatue, e nëpër burgje….plot, mos e pyt ça a ba….!

Po më pas kur bëheshin përvjetorë në nderim të Bardhokut a vinin nga udhëheqja e lartë e Tiranës dhe a ju thërrisnin juve si familje?

Kanë ardh, na kanë ftuar për drekë, motrën time në Rrëshen, (motra ime nuk ka djal as bijë, ka dalë fare), edhe vajzën e Bardhokut, Marien, edhe Gjon Marka Kol Markun, ky Bardhok Bibën e kishte më tepër se djalin dhe familjen mbarë,…edhe kështu vajt puna….

Pas vrasjes së Bardhokut, ku keni banuar dhe punuar ju me familjen tuaj?

Unë me burrin tim (Preng Doçi) e katër djemt, kemi banu në fshatin Laç të Kurbinit, ku të parët e fisit Doçi kan pa ardh herët, në kohë të Zogut, hik prej malit dhe ra n’fushë për jetë ma t’mir. Kemi qenë bashkë dhe me vëllaznit e burrit, Pjetrin dhe Gjonin e familjet e tyne, shtëpijat afër i kemi pas.

Përse dhe si nisi konflikti juaj me atë regjim ku kishte shërbyer në funksione të larta dhe vëllai juaj, Bardhoku?

Unë me familjen time, burrin dhe katër djemt, nuk kena pa nigjue me u fut në koopërativë, nuk donim me hi në kooperativë dhe na vinin tuj na u lut kta të partisë dhe t’pushtetit me na marrë me të mirë…

Kush ju ka ardhur, e mbani mënd?

Ka qenë ktu afër shtëpisë sonë, burgu te Uzina, (Burgu 305 me të burgosur politikë që ndërtuan Uzinën e Superfosfatit në Laç në vitet 1962-1967. Shënim ynë, D.K.) ishte komandant burgu, Sulejman Manoku, shok i Bardhokut qysh në Rrëshe. Erdhi këtu te ne bashkë me motrën e Pal Mëlyshit, e dërgun ata t’Partisë se nuk erdh vetë. “Mirserdhët”, ju thamë ne, “mirsejugjetëm”, na thanë ata. “Tash tre muaj kam dasht me ardh me u takue dhe s’mund ju gjeta”, hapi muhabetin i pari Sula? “Tash 15 vjet që është vra Bardhok Biba dhe nuk gjete rastin me ardh me pi kafe”?! i tha burri jem, Prenga. Ngelën ata kur i tha ashtu.

Si iu përgjigjën, çfarë tha Sulejman Manoku?

Sula s’foli fare, uli kryt përdhe. Kurse e motra e Pal Mëlyshit, tha: “Paskemi ardh kot këtu”, dhe u çuan dhe dulën pa buk, u çuan e dulën, shkoi ora 10 e natës, ikën e s’u panë ma ktu kurr….

Po pas këtyre, a ju vinin të tjerë për t’ju lutur apo për t’ju bërë presin që të futeshit në kooperativë?

Pooo vinin…., na çonin fjalë me ndonji ktu, por unë nuk pranojshim gjallë me hy në kooperativë….

Kush ju vinte dhe çfarë ju thonin, a i mban mënd?

Posi se kujtoj… për s’fundit herë ka ardh kryetari i Këshillit të fshatit Laç, Pashk N. me disa tjer nga prapa dhe me hi n’kooperativë na thoshin. Unë, me vllan e burrit, kishim pendën e qeve, mushkën dhe disa bagti të imta dhe punojshim tokën tonë, n’punë tonë. Edhe më thanë do hysh në kooperativë,….bre po, bre jo, erdh…ky që ka qenë familje komunisti, Reshat Gjylja, (se di a është gjall a është vdek Reshat Gjylja), dhe i thashë: “Pash zotin o Reshat Gjylja, (flet për Reshat Gjylin, ish-shef Policie në Laç në fundin e viteve ’60-të dhe fillimin e viteve ’70-të. Shënimi ynë. D.K.), pash-zotin m’u hiq qafe. Pash kryet e Naim Gjylbegut, (të vëllajt Hero i Popullit), e kokën e fëmijve, m’u hiq qafe, se jam një familje puntore që s’kam njeri në punë, jam një familje që s’i kam kurkujt borxh, m’u hiqni qafe…”

Po ai si ju përgjigj?

Ai…., hec, hec, dhe më lëshoi Kryetarin e Këshillit në shpinë, një Pashka N……, (është gjallë), ai erdhi dhe më kapi për flokësh dhe u kapëm kështu…, unë i rashë me një shpullë dhe m’u hoq shamia e ra aty, ishin kooperativistët, ishin aty, 20-30 vetë u mblodhën….

Çfarë i thatë ju pas kësaj, si reaguat?

Heu thashë, o i madhi zot, jarabi fëmijët gjë mos ua gjettë, se fëmijët tuaj nuk janë pjesmarrës të hallit dhe të punës sime, se s’dinë gjë se i keni te shtëpia, por thashë, ata atje, zoti i madh i nxjerrtë fare, thash, me të madh dhe me të vogël, se jam para familje sime, kurkujt keq s’i kam bërë, fëmijët m’i kanë nxjerrë e përjashtu nga shkolla, jeni duke më trishtuar në familje, s’u kam borxh, jam para familjes sime, para oborrit tim…

Çfarë ndodhi pas këtij konflikti me kryetarin e Këshillit dhe shefin e Policisë?

Ky Reshat Gjyli, i tha Pashka N……; kape mo…, dhe erdh e më kapi për flokësh ai, edhe unë i rashë fytyrës, (bën me dorë duke treguar se si e ka qëlluar me shpullë. Shënimi ynë. D.K.), edhe ai tha: “Mbaje mënd këtë shpullë”. Hëëë i thashë, erdhe dhe më trishtove në familje ti, ç’farë borxhi të pata, jam te familja ime, jam te oborri im, kurkujt keq s’i kam bërë, edhe m’u hiqni qafe…..

E kujtoni në ç’vit ka ndodhur kjo ngjarje me ju?

Kam pasur një fëmijë…..një fëmijë, përzotin harroj, kam pas një vajzë të vogël n’atë kohë n’djep, (Veronika, 6-7 mujshe) duke u sjellur, duke u përpjekur, ku e di unë, kisha atë fëmij të vogël dhe e gjej përmbys, s’kishte kush me e kthy drejt djepin….., ajo vdiq….(qan me lot për disa minuta, për atë ngjarja që ka ndodhur në vitin 1969. Shënimi ynë. D.K.)

Si reaguan ata pas kësaj?

Erdhën dhe më vunë prangat, më çuan në Degë të Krujës, 6 muaj kam ndenjur në birucat e Krujës.

A jua përmëndnin Bardhokun gjatë periudhës së hetuesisë?

Joooo, po e kishin për ulje, jooo, një grua e pashkollë, me një kasolle, më ndaluan dhe fëmijët dhe s’mundën dot me shkue te shkolla se u shkatërruan….!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Duhet të shpërndanin banesat sociale, punonjësit i përdornin vetë për orgji
Previous article REFERENDUMI PËR EMRIN E RI/ Presidenti Meta thirrje shqiptarëve të Maqedonisë: Votoni pro

g.autor

Postime të ngjashme

DOSSIER/ “’Arkitektura e kishave në shekujt VII–XV’!" Një ditë në studion e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Aleksandër Meksi Dossier

DOSSIER/ “’Arkitektura e kishave në shekujt VII–XV’!" Një ditë në studion e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Aleksandër Meksi

DOSSIER/ Më 1937, kur qarqet akademike gjermane propozuan Gjergj Fishtën për Çmimin Nobel! Shkrimtari i parë shqiptar i nominuar Dossier

DOSSIER/ Më 1937, kur qarqet akademike gjermane propozuan Gjergj Fishtën për Çmimin Nobel! Shkrimtari i parë shqiptar i nominuar

DOSSIER/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ja: “Më 22 nëntor ‘42, Mustafa Kruja u shpreh publikisht në Teatrin ‘Savoia’, se; duke e respektuar pavarësin e plotë të Shqipërisë... Dossier

DOSSIER/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ja: “Më 22 nëntor ‘42, Mustafa Kruja u shpreh publikisht në Teatrin ‘Savoia’, se; duke e respektuar pavarësin e plotë të Shqipërisë...

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT