Zgjedhjet e mbajtura të shtunën për Këshillin Kombëtar të PD, rezultuan me problem sa I përket votimeve.
Kujtojmë se Ervin Salianji, ishte një nga deputetët që dha dorëheqjen nga postet partiake, pas kërkesës së Lulzim Bashës.
Në një intervistë ekskluzive për AlpeNews.al, Endira Bushati rrëfen se zgjedhjet e brendshme u zhvilluan në një proces jo transparent.
Ndër të tjera, Bushati shton se gjesti I Salianjit ishte një gjest prej të zemëruar, dhe se Gazmend Bardhin nuk e njeh, ndonëse ai është prej të shtunës numri I dytë I Partisë Demokratike.
Intervista e plotë:
- Bëni pjesë në grupin I cili I ka kërkuar dorëheqje Lulzim Bashës. Çfarë nuk po shkon me Partinë Demokratike?
Unë kam qenë një mbështetëse e Bashës, madje shumë më përpara se të zgjidhesha anëtare kryesie në nëntor 2014. Bëja pjesë në atë grup që besonin tek ai, si i ri, i diplomuar në perëndim dhe me vizion e formim tjetër. Fatkeqësisht, për PD-në dhe vendin, LB rezultoi një mashtrim i madh. Kam kërkuar dorëheqjen e tij pas rezultatit shkatërrimtar për PD-në në zgjedhjet e 2017. Ai rezultat është tërësisht përgjegjësi e tij, e marrëveshjes me Ramën dhe Listës së deputetëve të tij, listë thjesht personale. Dhe kur merr teposhtë, siç mori PD në 2017, nuk shtrohet më pyetja se çfarë nuk shkon, por se kur do ndodhë shkërrmoqja përfundimtare.
- Si ju duken propozimet dhe zgjedhjet e Këshillit Kombëtar të PD? A ishin zgjedhjet e së shtunës të ndershme e transparente?
Pse mendoni se nuk janë publikuar votat për çdo kandidat?
Është një proces antidemokratik, antistatutor, me emërime në tavolina klubesh qē nga seksionet deri tek kryetarët e degëve. Këshilli Kombëtar u shtua në numër në kundërshtim me statutin dhe ju e kuptoni sa i fuqishëm politikisht mund të ndjehet një anëtar i KK prej 340 anëtarësh. Votat për KK nuk u numëruan, por doli lista e përgatitur prej kohësh në zyrën e Bashës. Që nga zgjedhjet në bazë e deri tek zgjedhjet për kryesi, qëllimi ka qenë privatizimi i partisë nga Basha. Është turp dhe e padëgjuar që të mos publikohen votat. Sepse, nga ana tjetër, po të publikoheshin, do zbulohej e vërteta. Anëtarët e kryesise janë zgjedhur me më pak se 50% të votave të Këshillit Kombëtar. Imagjinoni, më i votuari ka marrë gjysmën e votave. Ndërkohë që shumica e anëtarëve të kryesisë është zgjedhur me 1/3 e votave, pra refuzuar nga 2/3 e anëtarëve të KK. Pra, sot Basha ka një ekip që as KK i tij nuk i jep besim në shumicë, dmth pa legjitimitet demokratik dhe pa peshë e përfaqësim politik. Një kryesi, që përvec 4-5 emrave, është kryesia e vjetër, por “e pastruar” nga kritikët dhe ata që s’i hyjnë në punë Kryetarit. Është kryesi me ata që heshtën pas humbjes së 2017 dhe që me heshtjen e tyre lejuan rizgjedhjen e Bashës kryetar partie, një farsë tjetër kjo, ku në procesverbale u pesëfishuan votat në raport mesa kishin votuar në të vërtetë. Pra Basha kishte detyrimin ndaj atyre që heshtën kur vodhi “fronin”e PDsë dhe tani u rikthen nderin duke i zgjedhur në Kryesi! Një pakt për heshtje të dyanshme, si rrjedhojë thjesht një Kryesi Memece!
- Çfarë mendoni për lenien jashtë të Salianjit dhe dorëheqjen e tij?
Gjest prej të zemëruari nga një person i perceptuar gjerësisht thjesht si i katapultuar pa meritë dhe nga Basha. Nga ky gjest, u mësua se grupi parlamentar paska edhe sekretar!!!! Pyeta deputetë ç’punë bën sekretari i grupit parlamentar? S’më jepnin dot përgjigje të saktë….
- Në një shkrim tuajin, theksoni se Këshilli Kombëtar I PD nuk ka votuar Rudina Hajdarin. Mendoni se deklarata e Bashës se znj.Hajdari do të linte mandatin e solli në këtë pikë?
Rudina Hajdari vërtetoi që nuk hynte në kategorinë që pëlqen Basha, kategorinë e memecëve….
- Pse po bën Lulzim Basha lëvizje të gabuara duke I dhënë poste të rinjve e duke larguar “gardën e vjetër”?
LB nuk bën lëvizje të gabuara. LB bën lëvizjet e duhura për të përmbushur qëllimin e vet: privatizimin e PDsë!! Atij nuk i intereson fitorja e PDsë, përsa kohë vetë është në krye dhe negocion me Ramën për pushtetin e vet personal.
- Një mendim për Gazmend Bardhin, sekretarin e Përgjithshëm të PD?
Nuk e njoh! Di vetëm, që në bazë të Statutit, Sekretari i Përgjithshëm është numri 2 i Partisë. Por Basha e lexon ndryshe Statutin….
Përgatiti: AlpeNews.al