Murat Misini ka 11 muaj që nuk ka dëgjuar asgjë nga djali i tij, Agoni, i cili ka tri vjet që kur ka shkuar në Siri për t’iu bashkuar luftës atje. Edhe sot e kësaj dite, ky baba nuk i di arsyet që e shtynë djalin e tij të marrë atë rrugë. Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.
«Gjithë kohës thoshte se dua të dalë jashtë (Kosovës) për të punuar se këtu nuk ka perspektivë, edhe ky është fakt sepse ne 30 anëtarë jemi në familje, kryesori unë jam», thotë Murat Misini në një bisedë me Zërin e Amerikës, seksioni në gjuhën shqipe. «Djali e shihte se nuk ka asgjë këtu dhe më pyeti se a mund ta nxjerrë pasaportën, sepse më tha: i kam dy shokë, një në Ferizaj, një në Maqedoni.
E mori pasaportën dhe më tha dua të shkojë te shokët në Maqedoni. Pas një muaji e gjysmë u lajmërua, tha unë ka një muaj e gjysmë që kam ecur në këmbë për të ardhur në perëndim por po e shoh veten krejt në tjetër vend, kishte shkuar në Siri», tregon Murat Misini.
Pasi kishte shkuar në Siri, Agoni kishte mbajtur kontakt me familjen për muaj të tërë dhe çdo herë u kishte thënë përmes telefonit se është i penduar dhe dëshiron të kthehet në Kosovë. Murati thotë se ka provuar ta nxjerrë djalin nga kjo situatë, por nuk ka qenë e mundur. «Para dy vjetëve unë isha për ta marrë, kam shkuar deri në kufi me Sirinë, në Turqi. Isha i obliguar t’i dorëzojë paratë për ta paguar një njeri që do ta sillte këndej kufirit djalin. Unë i dorëzova paratë dhe erdha në banesë, duke e pritur djalin ai më telefonoi, tha babi paratë i kam marrë dhe më pyeti se në cilin hotel isha duke më thënë se është nisur të vijë te unë. Unë i tregova hotelin dhe prita që do të vijë, por pas një ore vetëm kur e kam parë derën e banesës që ra në tokë edhe katër persona, policë që erdhën dhe më kapën», thotë ai.
Murati thotë se ishin forcat turke të sigurisë e mbajtën në burg për 3 ditë dhe më pas e liruan për tu kthyer në Kosovë. Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e Mesme edhe më tej ndodhen 195 veta nga Kosova një pjesë e mirë e të cilëve janë gra e fëmijë.
Sot, sipas familjarëve, Agoni ndodhet në burgun «Direk» të kontrolluar nga forcat kurde në mes të Sirisë dhe Irakut bashkë me 55 persona të tjerë nga Kosova. Para një viti Agoni u martua në Siri me një vajzë e cila po ashtu kishte shkuar atje nga Kosova, me të cilën ka edhe një fëmijë. Murati shprehet i shqetësuar për të birin, por edhe për jetën e nuses së Agonit dhe djalit të tyre, të cilët ndodhen në një kamp në afërsi të burgut. «Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka qenë para një muaji dhe më ka sjellë një letër dhe unë ia kam kthyer».
Në letër, tregon Murati, i biri i tij kërkon nga familja që të bëjë më shumë për ta kthyer nga Siria në Kosovë. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se janë në pritje të kthimit të njerëzve që vazhdojnë të mbesin në zona të krizës.
«Është një pritje se mund të lëvizin dhe kjo lëvizje përfshihet nëpërmjet shteteve të rajonit dhe në vete përmban dy probleme nëse mund t’i cilësoj ashtu. Problemi social që ne jemi të detyruar që atyre njerëzve që janë në hall t’u dalim në ndihmë dhe brenda atyre lëvizjeve janë të infiltruar grupe të llojeve të ndryshme dhe ndaj atyre grupeve shtetet duhet të jenë të përgatitura që të reagojnë me qëllim parandalimin e aktiviteteve të cilat bartin rreziqet e tyre. Ne si Kosovë në këtë drejtim kemi ndërmarr masat tona duke u shprehur të gatshëm që të presim një numër prej tyre», thotë Gashi.
Sipas tij, Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të pritur të kthyerit nga këto zona. Më shumë se 50 persona janë në burg me vendim të prerë të gjykatës, ndërsa mbi 200 janë të arrestuar ose janë në kërkim për përfshirje në konfliktet në Lindjen e Mesme apo nxitjen dhe rekrutimin e luftëtarëve të huaj. Kosova ka një ligj që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për veprat e tilla.
Autoritetet në Kosovë thonë se gjatë dy viteve të fundit nuk ka pasur raste të raportuara të përfshirjes së qytetarëve të saj në grupet terroriste.
Raporti i fundit i policisë evropiane EUROPOL, thekson se Kosova ka raportuar rënie të propagandës dhe nuk ka pasur raste të mbështetjes financiare apo logjistike për grupet terroriste, por vendi është i shqetësuar lidhur me kthimin e luftëtarëve të huaj.