Qeveria bullgare nuk ka ndërmend që të heqë veton e vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut sa i takon hapjes formale të negociatave, ndërsa ka përsëritur qëndrimin tashmë zyrtar që nuk do të bllokojë Shqipërinë.
Një javë nga mbajtja e samitit të udhëheqësve të BE-së, Sofja thotë se deklarata dhe qëndrimi i parlamentit vendas i dy viteve më parë mbetet ende në fuqi. Ky qëndrim ka të bëjë me kushtëzimin e heqjes së vetos për Maqedoninë e Veriut me ndryshimet që duhet të bëhen në tekstet që lidhen me gjuhën dhe kulturën.
Për gjuhën, Bullgaria thotë se nuk ekziston një gjuhë maqedonishte, por ajo është dialekt i bullgarishtes, e po të njëjtat pretendime lidhen edhe me kulturën dhe historinë.
Në lidhje me Shqipërinë, Bullgaria thotë se Tirana mund të vazhdojë me negociatat, nëse do të ketë dakordësi për ndarjen e saj nga Shkupi.
Më 14 dhjetor do të mblidhet Këshillit për Çështjet e Përgjithshme të BE-së, që do të pasohet me një samit të udhëheqësve të unionit. Zgjerimi në këto takime nuk pritet që të jetë ndër temat kryesore.