Kujdesi për shëndetin zë një peshë të ngjashme në buxhetin e familjeve shqiptare me atë të familjeve në vendet e BE-së, por struktura e këtyre shpenzimeve ka dallime të dukshme, pasi në Shqipëri 75 për qind e shkojnë për ilaçe.
Në Shqipëri sipas INSTAT, 75.4 për qind të shpenzimeve për shëndetësinë familjet i çojnë për konsumim medikamentesh, ndërsa pjesa tjetër shkon për shërbime mjekësore. Në Europë, sipas të dhënave te OECD-së, ky raport përmbyset. Në vendet e BE shpenzimet për ilaçe zënë 7-15 për qind të shpenzimeve për shëndetësinë. Por përqindja vjen e rritet në vendet që janë anëtarësuar me vonë në BE, të tilla si Hungaria, Greqia, Lituania etj ku përqindja e shpenzimeve për medikamenteve zë mbi 20 për qind të shportës së shpenzimeve për shëndetësinë.
Shqipëria bënë përjashtim në rang europian pasi ende ekziston një kulturë e konsumimit të lartë të tyre dhe për më tepër shumë barna mund blihen në farmaci pa recetën e mjekut, duke e bërë vendin tonë me një nivel të lartë shpenzimesh për medikamente.
Nga ana tjetër tendenca e konsumimit të ilaçeve po vjen në rritje edhe pse popullsia po shkon drejt tkurrjes.
Gjatë periudhës janar -gusht 2017 importet e produkteve farmaceutike pësuan një rritje vjetore 14 % në vlerë dhe 7 % për qind në sasi.
Sipas të dhënave të INSTAT gjatë 8- mujorit u importuan 3374 tonë produkte farmaceutike në krahasim me 3128 tonë në 8-mujorin 2016. Në të njëjtën periudhë të vitit 2015 ishin importuar 2702 tonë medikamente.
Ndërsa shpenzimet për importin e medikamenteve arritën në 15.9 miliardë lekë gjatë janar-gusht 2017, nga 13.9 miliardë lekë që ishin më 2016, me një rritje 14%.
Në lidhje me këto zhvillime farmacistët dhanë disa arsye, duke pohuar edhe trendin në rritje të konsumit të ilaçeve. Plakja e popullsisë, rezistenca në rritje të ndaj medikamenteve dhe rritja e sëmundshmërisë janë tre shkaqet kryesore që sipas farmacistëve në pikat e pakicës kanë rritur konsumin e medikamenteve.
Farmacistët pohojnë gjithashtu se, gjithashtu numri i personave që po bëhen rezistencë ndaj ilaçeve po rritet. Përdorimi i shpeshtë i ilaçeve rrit rezistencën ndaj tyre, për pasojë ky grup gjithnjë e në rritje konsumon me shumë medikamente. Edhe ushqimet e pakontrolluara, apo dhe jeta sedentare. kanë ndikuar në uljen e reagimit të trupit ndaj virozave.
Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur nëpërmjet një anketimi se antibiotikët merren në 24 për qind të rasteve pa recete mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre.
Në veçanti, 73% e individëve gabimisht konsideruan se dhimbjet e fytit mund të trajtohen me antibiotikë. Për më tepër, 69% e pjesëmarrësve deklaruan se ftohjet e zakonshme dhe gripi duhet të trajtohen me antibiotikë. Gjithashtu, 41% dhe 34% të individët konsiderojnë të përshtatshme përdorimin e antibiotikëve për dhimbje të përgjithshme të trupit dhe të kokës respektivisht.