Fondi Shqiptar i Zhvillimit vijon fushatën informuese të projektit InnoXenia, me fokus “Inovacioni dhe roli i tij në zhvillimin e turizmit”. Kërkesa dhe sjellja e turistëve është gjithmonë në ndryshim. Për të përballuar këto ndryshime, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, nëpërmjet projektit InnoXenia synon të përmirësojë aftësitë e bizneseve dhe institucioneve publike lokale e rajonale për të përdorur produkte, procese dhe shërbime novatore me qëllim pasurimin e ofertave turistike natyrore dhe kulturore.
Për të nxitur dialogun dhe ndërveprimin mes aktorëve të angazhuar në sektorin e turizmit në kuadër të InnoXenia janë organizuar disa takime të quajtura “Work Cafè” (Kafe Pune). Destinacioni i fundit i këtij forumi diskutimi ishte bashkia Përmet. Konsorciumi Pro Përmet, shtëpia muze e Kristaq Cullufes ishin disa nga modelet e suksesshme të risive për sa i përket produkteve turistike që zona ofron.
Diskutimi i hapur mes nismëtarëve të këtyre modeleve, por edhe të pjesëmarrësve të tjerë nga autoritetet lokale, komuniteti i biznesit, etj. krijoi mundësinë për shkëmbimin e ideve dhe zgjidhjeve që mund të nxisin më tej turizmin në zonë. InnoXenia, dedikuar tërësisht novacionit në turizëm në rajonin adriatiko-jonian është një projekt që financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet fondeve IPA. Fondi Shqiptari i Zhvillimit është institucioni përfaqësues për Shqipërinë në një projekt që përfshin Greqinë, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Në kuadër të projektit InnoXenia po krijohet Rrjeti Ndërkombëtar i Aktorëve të Turizmit, i cili po zhvillohet dhe forcohet dita-ditës nëpërmjet Konventës së Aktorëve të Turizmit. Duke bashkuar aktorë të sektorit privat që janë aktivë në turizëm, me kalimin e kohës synohet që të bashkohen edhe institucionet publike për të pasur një impakt të lartë. Ky takim pati për qëllim edhe promovimin e destinacioneve turistike të vendit tonë te përfaqësuesit e vendeve të tjera të përfshira në projekt. Shtëpia muze e Kristaq Cullufes, që ai e ka ngritur pak nga pak me shumë dashuri, ngjalli shumë kuriozitet te të pranishmit. Po ashtu, Kisha e Shën Mërisë në Leusë dhe Kosinë ishin dy destinacione të tjera në të cilat u organizuan vizita.
Në përfundim të këtij aktiviteti të gjithë pjesëmarrësit dhanë sugjerime konkrete për tejkalimin e problematikave të turizmit, gjetjen e instrumenteve të financimit, etj. Të gjitha këto sugjerime do të reflektohen në axhendën e përbashkët strategjike për inovacionin në turizëm, që po përgatitet në bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha vendeve aktive në këtë projekt.


