Më në fund, Presidenca vërtetë nuk i ka bërë publike shkaqet kushtetuese të refuzimit të dekretit për ministrin e Brendshëm, por të paktën tregoi tri sebepet që dëshmojnë se akti është thjeshtë politik.
Së pari, në njoftimin e bërë publik nga zyra e shtypit të kreut të shtetit, thuhet se “Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.” Që do të thotë se Metës i paska mbetur hatri se përse Sandër Lleshi nuk i ka shkuar në një takim privat, përpara se të firmoste apo refuzonte dekretin. Refuzimi i kësaj tentative jo institucionale, tashmë qenka mbështjellë me ambalazhin e bukur të sfidimit të autoritetit institucional. Nga ana politike, institucioni ka të drejtë, sepse është korteziale të pish kafe me z. Meta, por ky hap do të ishte jo institucional për personin që ishte në mes të një procedure Kushtetutese nga Presidenti.
Së dyti, njoftimi thotë se “Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes.” Nëpërmjet këtij hapi, pranohet se z. Meta nuk e ka shoqëruar refuzimin e dekretit me sqarimin e domosdoshëm procedurial, juridik e kushtetues, praktikë e ndjekur në momentin e mosdekretimit të ligjeve që i kreu i shtetit i ka rikthyer Parlamentit. Edhe ky hap tregon se vendimi është politik dhe jo pjesë e praktikës së punës së institucionit.
Sëfundi, njoftimi përfundon me fjalinë: “Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”. Një koment i tillë është i denjë për një politikan çfarëdo, për një lider politik opozitar, për një deputet, qytetar apo për një analist politik, por jo për institucionin e kreut të shtetit. Sipas nenit 89 të Kushtetutës “Presidenti i Republikës…nuk mund të jetë anëtar partie”, ndërsa sipas nenit 86 pika 1 ai “është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Në këto kushte, kjo është një fjali tërësisht e pavend. Duke e bërë atë jo vetëm treguesi i një veprimi tërësisht politik por mbi të gjitha, nëpërmjet saj deklamohet publikisht halli i madh që e ka detyruar kreun e shtetit, të firmosi një akt të paprecedent antikushtetues.
Nëpërmjet këtij akti politik, ajo që mund të thuhet deri tani, është se më e pakta, jemi në një tentativë të kreut të shtetit për të marë kopetenca ekzekutive. Më e shumta?! Po presim, se me sa duket, kemi për të parë më shumë gjëra akoma!
Përgatiti: Alpenews.al


