Presidenti Ilir Meta ka përçuar një mesazh këtë të dielë, në kujtim të ditës që shënon miratimin e njërës prej deklaratave më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, atë të të Drejtave të Njeriut.
Përmes një postimi në rrjetin social, Presidenti Meta shprehet se më 10 dhjetor si sot, në vitin 1948 u nënshkrua Kushtetuta e Parë Universale që flet për njohjen e dinjitetit dhe themelin e lirisë së individit.
Meta shton se Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut mbetet ende sot aktuale, dhe u kujton të gjithëve, shteteve, qeverive, shoqërisë dhe individëve, se këto të drejta kërkojnë jo vetëm të kujtohen por edhe të mbrohen.
Si sot, më 10 dhjetor 1948, u miratua Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, kushtetuta e parë universale në mbarë botën.
“Njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themel i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë; mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut çon drejt veprimeve barbare, që fyejnë ndërgjegjen njerëzore dhe krijimi i një bote në të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës, lirinë e besimit dhe lirinë nga frika dhe skamja është shpallur si aspirata më e lartë e çdo njeriu”, janë fjalët e para të këtij dokumenti thellësisht emancipues, të cilat edhe sot tingëllojnë aktuale dhe u kërkojnë ende shteteve dhe qeverive, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe vetë individëve të rikthejnë jo vetëm kujtesën por edhe vëmendjen dhe energjitë e tyre në respekt parimeve detyruese të saj.



