Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta ka dekretuar si gjyqtaren e shtatë të Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtjen.
KED vendosi që vendi vakant i krijuar nga mbarimi përpara kohe i mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Muçi të jetë znj.Bejtja, për të cilën Meta nuk ka humbur kohë duke e dekretuar për pak orë.
Gjykata Kushtetuese u bë funksionale pas dekretimit të Përparim Kalos dhe Altin Binajt nga Presidenti Meta, me 6 nga 9 anëtarë, ndërkohë që duhen dhe 2 gjyqtarë që GJK të kompletohet dhe të bëhet tërësisht funksionale.
Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës
28 dhjetor 2020
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta sot më datë 28.12.2020, ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e krijuar pas mbarimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Muçi, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11364, datë 22.11.2019.
Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin nr. 66, datë 28.12.2020, ka vendosur miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019, si më poshtë:
1) Sonila Bejtja 76.83 Pikë
Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë, e mbi të gjitha në mënyrë të qëndrueshme të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 7/dh pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pa asnjë vonesë, me Dekretin nr. 11886, datë 28.12.2020, ka vendosur që:
– Zonja Sonila Bejtja të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.



