Gati një vit më parë, mjekët dhanë shpresë për trajtimin e koronavirusit me “Tocilizumab”, një medikament ky që bënte të mundur parandalimin e komplikacioneve te pacientët e infektuar.
Por një vit më pas, teksa ka përparuar lufta ndaj COVID-19, pasi në lojë janë futur vaksinat, vëmendja rikthehet sërish te ky ilaç. Rezultatet e një studimi të publikuar në revistën spanjolle “Nature Scientific Reports” tregojnë se “Tocilizumab” është i efektshëm për parandalimin e fataliteteve.
STUDIMI
Teksa ka publikuar të dhënat e hulumtimit, mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti vë në dukje se ky ilaç jepet në fazat e hershme inflamatore.
“Tocilizumabi demonstrohet sërish i efektshëm për parandalimin e vdekshmërisë, nëse jepet në fazat e hershme inflamatore (8-15 ditë) në doza të moderuara (400-800 mg) te pacientët me formë të rëndë të COVID-19. Ekipi studiues spanjoll publikoi në 5 tetor 2021, në “Nature Scientific Reports” studimin e tyre multicentrik mbi efektin e “Tocilizumabit” te pacientët me forma të moderuara deri në kritike të COVID-19.
Ulja e vdekshmërisë (te rastet e rënda, kur u trajtuar me dozë 400-800 mg në fazën e hershme inflamatore) rezultoi të ishte thuajse 6-fish.
Konkretisht, 4.1% rezultoi vdekshmëria te pacientët e rëndë të trajtuar me “Tocilizumab” përkundrejt 25.7% që ishte vdekshmëria te pacientët e rëndë të grupit të kontrollit. “Në këto kushte, 25.7 / 4.1 = 6.27-fish ulje e riskut të vdekshmërisë te pacientët e rëndë të trajtuar me 400-800 mg ‘Tocilizumab’ në fazën e hershme inflamatore”, vë në dukje Alimehmeti.
SITUATA
Lidhur me situatën, në 24 orët e kaluara janë raportuar 572 persona të prekur nga rreth 3800 testime të kryera, ndërsa në të gjithë vendin janë 8134 pacientë aktivë. Tirana mban edhe peshën kryesore, duke regjistruar më shumë raste pozitive me koronavirus.
Rritja e shifrave të infeksionit ka sjellë edhe shtim të pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor. Në Spitalin Infektiv dhe në spitalin COVID 3 gjenden të shtruar 179 pacientë, nga të cilët 31 janë në terapi intensive.
“Aktualisht në Spitalet COVID po marrin trajtim 179 pacientë, nga të cilët 31 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me COVID19 9 qytetarë: 1 qytetar nga Kavaja 57 vjeç, 4 qytetarë nga Tirana 62-83 vjeç, 1 qytetar nga Shkodra 64 vjeç, 1 qytetar nga Përmet 68 vjeç, 1 qytetar nga Elbasani 72 vjeç dhe 1 qytetar nga Fieri 78 vjeç”, kanë bërë me dije autoritetet shëndetësore.


