Debati në Kuvendin e Shqipërisë ka kaluar në një moment tensioni mes kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, dhe kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Bardhi kritikoi mënyrën se si u njoftua një kërkesë e caktuar në fund të seancës, duke theksuar se rregullat e Kuvendit duhen respektuar dhe se kërkesa nuk mund të shpallet kaq vonë.
“Nuk u njoftuam në nisje të seancës. Nëse ju duhet kohë për të mbledhur firmat, nuk mund ta trajtoni Kuvendin si një dyqan personal. Solleni sipas rregullores këtë propozim dhe njoftoni deputetët sa më shpejt”, deklaroi Bardhi, duke kërkuar respektimin e rregullave të procedurës.
Nga ana tjetër, Spiropali reagoi duke thënë se kërkesa ishte mbështetur nga 40 deputetë dhe se nuk mund të konsiderohej si abuzim. “Mos abuzoni, është kërkesë e 40 deputetëve”, theksoi ajo, duke mbrojtur procedurën.


