Ditën e djeshme është marrë vendimi për Kasëm Pirjasi dhe Hysnie Hoxhallari, të dënuar për vrasje dhe më pas djegien e shtëpisë më 21 janar 2018. Gjykata e Vlorës dha burg të përjetshëm për Kasëmin dhe 35 vite për Hysnien.
Ata i morën jetën Selkie dhe Olsi Hoxhallarit, nënë e bir që u qëlluan me sëpatë dhe më pas u dogjën të gjallë nga nusja e shtëpisë, së cilës iu kapën bisedat me të dashurin, Kasëm Pirjasin.
Kasëmi, martuar dhe me dy fëmijë i mori jetën Olsi Hoxhallarit dhe nënës së tij të moshuar dhe më pas i vuri flakën shtëpisë për të humbur gjurmët. Vrasja makabre u krye në bashkëpunim me gruan e Olsit, Hysnie Hoxhallarin, me të cilën kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore prej disa vitesh.
Pas krimit Hysnie Hoxhallari kishte fshehur armën e krimit dhe pasi banesa është djegur plotësisht ka njoftuar policinë se në shtëpinë e saj kishte rënë zjarr.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” ishte babai i tij, Nuri Pirjasi, i cili e mohoi se djali i tij ka bërë këtë krim.
“Nuk është e vërtetë se Kasëmi ka kryer krimin. Natën që ka ndodhur vrasja, ai ka qenë në shtëpi me gruan pasi vajza ka qenë e sëmurë”, tha ai.
Më pas zoti Nuri shtoi se e kanë rrahur në Roskovec si dhe në burgun e Vlorës. “E kanë rrahur aq shumë sa i ka rënë të fikët. Ai vuan edhe nga zemra. Për ta përmendur i kanë hedhur ujë e djali mban mend se ka dëgjuar që thoshin “më duket ka vdekur”, shtoi babai i Kasëmit.
Ndërsa të pyetur nga moderatorët nëse djali i ka thënë se ka patur një marrëdhënie me Hysnien, Nuri tha se jo. “Nuk na ka thënë gjë. Dimë që e takonte vetëm kur shkonte për të punuar. Ai ka nuk ka lidhje me krimin”, përfundoi babai i të dënuarit.


