I vetëm, në këmbë, me letra në duar dhe pa shoqërinë e avokatit Maks Haxhia, ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri mbërriti pranë hotel “Rogner”, për të nisur deklaratën për mediat pas vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda që e dënoi me 3 vjet shërbim prove vetëm për shpërdorim detyre, dhe jo trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
Gjykata shpalli të pafajshëm Saimir Tahirin për akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, duke e shpallur fajtor vetëm për një akuzë të re të ngritur prej saj, për shpërdorim detyre. Kështu, Tahiri u dënua për këtë vepër me 5 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar arrin në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim Gjykata e konvertoi në shërbim prove 3 vite me kusht për të mos kryer vepër tjetër penale brenda kësaj periudhe. Sipas vendimit, Tahiri për 3 vite nuk duhet të kryejë funksione publike. Me këtë vendim, ish-ministri i Brendshëm nuk kryen asnjë ditë burg.


