Kreu i Rithemelimit në Bashkinë e Vaut të Dejës, Benard Ndreca deklaroi se atentati ndaj tij është një sulm politik,teksa shton se ky akt e ka motivuar edhe më shumë për të qëndruar në detyrë dhe thotë i bindur se nuk do të tërhiqet nga politika.
Pyetje: Ju disa herë keni thënë se atentati i djeshëm ishte me sfond politik, i keni shqyrtuar të gjitha mundësitë e tjera sepse derisa nuk keni pasur konflikte…?
Benard Ndreca: E çuditshme pasi duke mos pasur konflikte të jashtme… Unë kam pasur një detyrë shtetërore në 2015-2019, kam qenë administrator i Njësisë Administrative Hajmel dhe aty nuk ka një banor i asaj njësie që të ankohet nga Benard Ndreca sepse unë kam ndjekur detyrën.
Jam zgjedhur nga PD e Rithemelimit me votë të lirë, ka një vit dhe të gjithë i kemi bërë gjërat me marrëveshje dhe me bashkëpunim ashtu siç e parashikon udhëzimi.
Nuk kam asnjëlloj konlikti apo një piste që mua më çon tek diçka personale. Këto janë sulme politike që i bëhen kryetarit të PD-së dhee jo Benard Ndrecës.
Pyetje: A keni menduar ndonjë moment që të tërhiqeni nga gara e të largoheni nga jeta politike pas asaj që ndodhi dje?
Benard Ndreca: Kurrë, asnjëherë. Madje më kanë motivuar më shumë për këtë pjesë. Kurrë nuk do të tërhiqem nga politika.
Gjatë fjalës së tij, Ndreca thotë se pavarësisht thirrjeve që përfaqësues të mazhorancës kanë bërë për kapjen e autorëve të vendosjes së tritolit në makinën e tij, ai nuk ka pasur asnjë telefonatë nga ata dhe i quan fiktive deklaratat e tyre.
Benard Ndreca: Nga përfaqësues të mazhorancës nuk kam pasur asnjë telefonatë. Kanë qenë fiktive deklaratat që kanë bërë.


