Ditën e djeshme 27-vjeçari, Sokol Veliraj u gjet i vdekur nga kalimtarët e rastit në anë të rrugës në aksin Elbasan-Peqin.
I riu u dërgua në spital pa shenja jeta dhe fillimisht sipas Policisë u tha se vdekja e 27-vjeçarit është shkaktuar nga një aksident, pasi mund të jetë goditur nga një motoçikletë dhe autori më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Por më pas do të ishte babai i të riut, ai që tha se djalin ia kishin vrarë. Babi i të riut nga Elbasani që jetonte në Pogradec tha se djalin ia kishin therur dhe se ai e kishte parë vetë me sytë e tij në morg.
Po ashtu ai ka thënë se gjithçka është inskenuar si aksident.
Më tej Rexhep Veliraj, babai i të riut që u gjet i vdekur ka thënë:
Sokoli jetonte në qytetin e Pogradecit bashkë me vajzën dhe bashkëshorten e tij, ndërsa punonte si çoban në Tepelenë. Ai ka qenë duke u kthyer në shtëpi kur ka gjetur vdekjen. Policia e ka parë që në vendin e ngjarjes nuk kishte pikë gjaku. Unë nuk i di problemet e djalit tim, por di që ka qenë një herë i dënuar për prostitucion. Djali im nuk është aksidentuar, atë e kanë vrarë. I lutem Policisë të shohë kamerat, sepse kishte dëmtime gjithandej, i ishin thyer nofullat, gjymtyrët, kockat. Sokoli ishte i martuar dy herë dhe kishte dy vajza. Me gruan e parë nga Labinoti u nda, pasi u akuzua për prostitucion dhe me gruan e dytë jetonte në Pogradec.’’