Vjosa Osmani ka dorëzuar të shtunën detyrën e presidentes së Kosovës. Në një ceremoni zyrtare, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu është bërë zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes deri në zgjidhjen e ngërçit të krijuar.
“Po lëmë pas punë të jashtëzakonshme”, deklaroi Osmani gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës të kryeparlamentarja Haxhiu, ndërsa shtoi se është e lumtur që këtë post po ia dorëzon një gruaje.
“Gjithnjë ka qenë një nga dëshirat e mia të mëdha që kurdo që dal nga kjo zyrë ta lë një grua mbrapa. Kjo dëshirë sot po më plotësohet dhe shpresoj shumë që siç thotë populli ta ngrehni këmbën zhag edhe ju që pas jush të jetë një grua në këtë zyrë. Me besimin e plotë që gratë gjithmonë tregojnë kujdes të veçantë ndaj institucioneve dhe ndaj çdo qytetari të Republikës. Në emër edhe të gjithë bashkëpunëtorëve këtu në Presidencë dhe shumë të tjerë që s’janë këtu tash për momentin, ju dëshiroj shumë suksese për gjatë kohës sa do të qëndroni këtu si ushtruese e detyrës. S’do të jetë punë e lehtë.“, tha Osmani.
Ajo theksoi se shpreson që Kreu i ri i shtetit të zgjidhet sa më shpejt, për të mirën e vendit dhe të rajonit, duke përmendur edhe situatën e brishtë që po kalon bota për shkak të krizës në Lindjen e Mesme.
“Shpresojmë shumë që Kuvendi sa më parë ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re me shpresën që të kemi stabilitet institucional në një kohë kur jo vetëm shteti jonë dhe rajoni ynë, por e gjithë bota po kalon kriza të mëdha”, shtoi ajo.
Nga ana e saj, Haxhiu u zotua se gjatë ushtrimit të detyrës si presidente do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke theksuar se e kupton përgjegjësinë dhe obligimet kushtetuese që ka marrë. Ajo falënderoi ish presidenten Osmani për angazhimin e dhënë në shërbim të Kosovës ndërsa iu bëri thirrje deputetëve që të gjejnë sa më parë një zgjidhje për çështjen e presidentit, duke lënë anash dallimet dhe inatet politike.
“Zgjedhjet nuk janë të mira as për qytetarët, as për shtetin. I bëj thirrje deputetëve që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e presidentit. T’i lënë anash dallimet politike, inatet politike, t’i vazhdojnë pasi ta zgjedhin presidentin”, u shpreh Haxhiu.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse presidenti nuk zgjidhet në kohë ose posti mbetet vakant, kryetari i Kuvendit emërohet ushtrues detyre për një periudhë jo më të gjashtë se gjashtë muaj, deri sa vendi ta zgjedhë një president të ri.



