Efektivi i Shqiponjave Nevaldo Hajdaraj është shfaqur i penduar në ambientet e gjykatës. I riu ka kërkuar që në seancën e dhënies së masës së sigurisë të ishin të pranishëm edhe familjarët e Klodian Rashës, në mënyrë që t’ju kërkonte ndjesë publikisht.
“Kam vrarë një njeri, merrni ç’masë të doni. Dua të jetë edhe familja e tij këtu, t’ju kërkoj ndjesë publike”, ka deklaruar ai.
Përgjatë gjithë seancës ku u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, polici nuk e ka ngritur kokën lart dhe gjatë gjithë kohës ka qëndruar me sytë poshtë.
Klodian Rasha, 25 vjeç, u qëllua për vdekje me dy plumba, gjatë natës mes 8 dhe 9 dhjetorit, pasi po e ndiqte sepse kishte shkelur orën policore, të vendosur për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend. Ky i fundit, është arrestuar për tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes.
Prej dy ditësh, protesta të shumta janë organizuar në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku nuk kanë munguar edhe përleshjet me Policinë. Të enjten, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen nga posti. Por në rrjetet sociale është paralajmëruar një tjetër protestë gjatë të premtes në mbrëmje.


