Humbja e kolegut të tyre prej koronavirusit një ditë më parë duket se i ka bërë bluzat e bardha në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë të reflektojnë.
Maska nuk i “pengon” më për të biseduar me dikë. As për të lëvizur nga një shërbim në tjetrin. Disa prej tyre madje mbajnë dhe doreza. Pamje të tilla më parë i ndeshje më rrallë.
Me gjithë këtë dikush mund të ndjehet dhe i bezdisur prej maskës në fytyrë dhe ka gjetur një mënyrë për të treguar se ajo nuk i mungon ndonëse nuk e mbron.
Në spitalin e Sëmundjeve të Brendshme familjarët vijojnë ti takojnë të afërmit e tyre të sëmurë me autorizim.
Disa me maska e disa jo, por të gjithë shumë pranë njeri tjetrit, pa respektuar distancimin fizik.
E tillë ishte situata në Qendrën Spitalore Nënë Tereza një ditë pasi në Shqipëri u shënua viktima e parë e Covid-19 mes personelit shëndetësor.
Mjeku hematolog Arjan Pushi ndërroi jetë pas trajtimit gati dy javor në spitalin Infektiv dhe sot u përcoll në banesën e fundit nga familja e pak miq.
Pa ceremoni pasi protokolli kundër përhapjes së koronavirusit e ndalon, por me shumë dhimbje për ikjen e tij dhe mirënjohje për kontributin që la pas.
Në nderim të mjekut 58 vjeçar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Rektori I Universitetit te Mjekësisë Arben Gjata dhe Dekani Xheladin Draçini zhvilluan homazhe në Fakultetin e Mjekësisë.
Fotot i ndau ministrja në rrjetet social bashkë me apelin për të respektuar rregullat kundër Covid-19.