Hungaria voton sot në një proces zgjedhor vendimtar që mund të shënojë fundin e një epoke të gjatë politike të kryeministrit Viktor Orban, duke sjellë pasoja të rëndësishme jo vetëm për vendin, por edhe për raportet me Europën, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
Sipas sondazheve të fundit, avantazhi i takon kandidatit opozitar Peter Magyar, i cili krijoi një forcë të re politike pas shkëputjes nga partia në pushtet Fidesz. Megjithatë, në prag të votimit, Orban u shfaq sfidues para mbështetësve të tij në Budapest, duke deklaruar se pret një fitore që, sipas tij, “do të befasojë të gjithë”.
Qendrat e votimit janë hapur deri në orën 19:00, ndërsa rezultatet e para pritet të publikohen gjatë mbrëmjes, në një garë që konsiderohet ndër më të rëndësishmet në historinë e fundit politike të Hungarisë.
Fushata është shoqëruar me tensione të larta. Orban ka akuzuar opozitën se është e gatshme të përdorë çdo mjet për të marrë pushtetin, ndërsa Magyar u ka bërë thirrje votuesve të mos bien pre e presionit dhe shantazhit politik.
Pas 16 vitesh në pushtet, qeverisja e Orban është cilësuar nga Parlamenti Europian si një “regjim hibrid i autokracisë elektorale”. Në këtë kontekst, Magyar dhe partia e tij Tisza premtojnë një ndryshim të thellë politik, përfshirë riorientimin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian dhe distancimin nga lidhjet e afërta me Rusinë.


