Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se takimi i paralajmëruar për 27 qershor në Uashington me udhëheqësit e Serbisë është një mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas kreut të shtetit të Kosovës, nëse nuk arrihet një marrëveshje, të dyja palët do të dalin të humbura.
“Është takim i një rëndësie të veçantë, po themi historike, sepse për herë të parë të dy vendet tona takohen, apo kanë pranuar që të takohen në Shtëpinë e Bardhë. Është një interesim do të thotë i politikës më të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga vet presidenti Trump, dhe tash kemi një angazhim shumë aktiv, dinamik dhe shumë energjik. por me të vërtetë me vizion të ambasadorit Grenell. Pres që të kemi një vullnet të dyanshëm, të punojmë seriozisht për arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme për të mirën e dy vendeve, popujve tanë. Është shumë me rëndësi që të dy vendet tona, edhe Kosova edhe Serbia, kanë treguar zotimin e vet, por edhe besimin që ky proces të jetë i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, është një mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme dhe për të ardhmen e sigurt të të dyja vendeve në rrafshin edhe zhvillimor por edhe atë të vlerave euroatlantike. Nëse nuk arrihet marrëveshje me 27 qershor, Kosova e Serbia do të jenë humbëse. Nëse arrihet marrëveshje të dyja palët do të jenë fituese e me këtë fiton edhe vlera euro-atlantike dhe natyrisht përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregohet i saktë në vendosmërinë që të arrihet një marrëveshje në mes vendeve dhe popujve të armiqësuar tash e më tepër se një shekull dhe këtë mrekulli të marrëveshjes unë besoj që mund ta bëjnë aktualisht vetëm e vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidershipi i presidentit Trump dhe përkushtimi që po tregon ambasadori Grenell”, u shpreh Presidenti Thaçi.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Presidenti Thaçi tha se nuk ka adresë më të besueshme për Kosovën sesa Shtetet e Bashkuara, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi që të bisedohet për prekje kufijsh.
“Shqetësim për takimin në Ëashington shprehin ata që nuk janë në rrjedha, ndonjë injorant dhe në anën tjetër ndonjë dashakeqës i procesit. Në fazën përfundimtare do të respektohet Kushtetuta e Kosovës, integriteti territorial i saj, sovraniteti i Kosovës pra nuk ka nevojë për asnjë shqetësim por i ftoj të gjithë që të mos krijojnë panik, konfuzion dhe të mos prezantojnë lajme të rrejshme. As që ka kërkuar ndokush që çështje të tilla të hapen prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës as që do të lejohet të diskutohet nga pala kosovare. Natyrisht me njohjen reciproke do të ketë edhe demarkim të kufirit siç ka ndodhur i Kosovës edhe me Malin e Zi edhe me Maqedoninë, sepse do të jemi dy vende të pavarura dhe sovrane në fqinjësi që duhet ta definojmë edhe çështjen e kufirit në kuptimin e ekspertëve teknik pas marrëveshjes”, u shpreh Thaçi.