Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të 14 tetorit në zonën e Shkozës, në Tiranë, ku një 35-vjeçar dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës së prindërve të bashkëjetueses së tij. Si pasojë, dy bashkëshortët kanë humbur jetën në spital.
Sipas Policisë, rreth orës 00:30, pas njoftimit për zjarr në banesat sociale në rrugën “Ali Shefqeti”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shkuan në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e incidentit.
Nga hetimet paraprake, të kryera nga ekspertët kriminalistë dhe specialistët për hetimin e zjarrvënieve, dyshohet se autori i ngjarjes është Astrit Idrizi, 35 vjeç, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës ku jetonin Ismete Ziu, 65 vjeçe, dhe Agim Ziu 68 vjeç, prindërit e bashkëjetueses së tij.
Pavarësisht ndërhyrjes dhe transportimit në spital, të dy bashkëshortët nuk kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve të marra.
35-vjeçari është arrestuar menjëherë pas ngjarjes, si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë së Shtetit.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim dokumentimin ligjor të plotë të ngjarjes dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që çuan në këtë tragjedi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


