Suela dhe Florenci ishin çifti që mbrëmjen e djeshmë përlotën gjithë audiencën me historinë e tyre të dashurisë. Të ftuar në Top Show Magazine, ata rrëfyen ngjarjen që i ndryshoi jetën pak para se të kurorëzonin dashurinë e tyre.
Rreth 9 vjet më parë, ata kishin përgatitur gjithçka për dasmën, por vetëm një muaj para ditës së madhe Florencit i ndodh një aksident i rëndë. Ai rrëzohet nga kati i 5-të, teksa punonte në ndërtim dhe pas disa ditësh në spital mëson se ishte paralizuar.
“Shkatërroi çdo gjë ai aksident. Kishim bërë gati gjithçka, lokalin, vellon. Unë pësova aksident, m’u fut skela dhe rashë. Ishte dita më e keqe e jetës. Për momentin s’e kuptoja sa i rëndë ishte dëmtimi.”
Fillimisht bashkëshortja tregon se nuk e dinte sa i rëndë ishte dëmtimi dhe mendoi se thjesht kishte thyer këmbën, ashtu siç i kishin treguar përmes telefonit.
“Ditë më vonë ai më tha, dasma nuk bëhet. Nuk mund të vijë. Shkova në spital dhe kur hapet dera e shikoj Florencin në karrocë. Aty e mësova se aksidenti ishte teper i rëndë dhe ai kishte mbetur i paralizuar.”
Pavarësisht kësaj Suela tregon se nuk u dorëzua asnjëherë. Ndonëse partneri i saj i kërkonte vazhdimisht të hiqte dorë prej tij dhe të vazhdonte jetën e saj, ajo nuk pranoi.
“Ai thoshte largohu, por nuk e ndjente. Në atë moment nuk mendoja asgjë tjetër. Florenci kishte rënë shumë nga ana psikologjike. Dhe mua mu desh ta bëja të kuptonte se gjërat vazhdojnë. Ka dhe më keq. Jeta vazhdon! Luftuam bashkë. Qëndruam bashkë 6 muaj në spital. Ai në shtrat unë në shezlong. E bëja për të qeshur, ndonëse vetë qaja fshehurazi. Doja që ai të dilte nga depresioni, por kurrë se mendova jetën pa të.”- u shpreh Suela e cila përloti të publikun dhe gjithë të ftuarit e tjerë.
Pavarësisht sfidave, ata ia dolën ta realizonin ëndrrën e dasmës, duke u martuar pikërisht në 2 vjetorin e vajzës së tyre.