Komiteti teknik i Ekspertëve pritet të shpallë vendimin e ri mbi kufizimet për masat anti Covid. Sipas burimeve pritet që të ketë një heqje të kufizimeve, por që këto do të bëhen publike nga ana e Komitetit Teknik.
Shqipëria vijon të mbajë në fuqi kufizimet deri nga ora 23:00-05:00, si një nga masat për të parandaluar përhapjen e infeksionit të koronavirusit.
Mbledhja është njoftuar zyrtarisht nga ministria e Shëndetësisë. Shqipëria gjatë këtyre ditëve ka pasur një ulje të infektimeve nga Covid. Deri më tani, sipas shifrave zyrtare në të gjithë Shqipërinë janë të infektuar 2,211 persona.
“Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 45 pacientë, nga të cilët 8 janë në gjendje më të rënduar. Në 24 orët e fundit me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor ka tre humbje jete me SARS-COV2 pozitiv: një qytetar nga Korça 67 vjeç, një qytetar nga Tirana 70 vjeç, një qytetar nga Vlora 84 vjeç. Janë shëruar 431 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 266,019 që nga fillimi i epidemisë”, thuhet në raportimin ditor të ditës së djeshme të ministrisë.


