7 ekspertë italianë kanë mbërritur në Shqipëri dhe po asistojnë Prokurorinë e Durrësit për të hetuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit ku humbën jetën disa persona dhe mbetën të plagosur e të pastrehë mijëra persona të tjerë. Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra, bën me dije se për momentin 7 ekspertët italianë janë në Prokurorinë e Përgjithshme , ndërsa nesër do të zhvendosen në Durrës ku do të njihen me dosjet e hapura në prokurorinë e këtij qyteti për pasojat e tërmetit. Burime për Report Tv, bëjnë me dije se të njëjtët ekspertet kanë hetuar në Itali pasojat e tërmetit që ra në L’Aquila, tërmet ky që solli dëme shumë të mëdha.
Në Durrës janë dy ekipe nga Prokuroria e Durrësit që kanë nisur hetimet në objektet e rrënuara nga tërmeti. Konkretisht hetimi po kryhet në 6 objektet që shkaktuan viktima dhe hetimi tjetër për të paktën 200 objekte që kanë pësuar dëme të mëdha, por nuk që nuk kanë shkaktuar viktima. Prokuroria ka urdhëruar sekuestro e dosjeve me lejet e ndërtimi, raportet e institutit sizmiologjik për këto ndërtime, raportin e kolaudimit nëse është respektuar apo jo leja e dhënë dhe parametrat teknikë për konstruksionin metalik dhe betonit.
Ndërkohë në 14 dhjetor të vitit që lamë pas, Prokuroria e Durrësit lëshoi 18 urdhër arreste për zyrtarë, ndërtues, inxhinierë dhe specialistë të cilët dyshohen se kanë gisht në ndërtimet jo cilësore apo të jashtëligjshme në Durrës. Nga këta urdhër arreste 9 persona u arrestuan ndërsa 9 të tjerë u shpallën në kërkim. Nga veprimet e hetimore ka rezultuar se dëmtimet, shembjet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.


