Shtatë punonjëse të repartit të hekurosjes të një rrobaqepësie në Fllakë të Durrësit janë dërguar në spital pasi kanë shfaqur simptoma helmimi. Punonjëset e rrobaqepësisë kanë pasur marrje mendsh dhe janë ndjerë keq, ndaj janë dërguar në spital
“Kisha të vjella, kisha kollë, nuk isha mirë, më ra të fikët”, tregoi një prej punonjëseve.
Shkak i gjendjes së tyre dyshohet të jetë bërë rrjedhja e gazit të kondicionerit të punës, i çmontuar nga disa punonjës.
Nëndrejtori i Spitalit të Durrësit Genti Kavaja tha se 2 punonjëse janë dërguar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, ndërsa 5 vazhdojnë të qëndrojnë në Spitalin e Durrësit në gjendje të stabilizuar.
“Janë paraqitur 7 paciente, të seksit femër, kanë ardhur në urgjencë nga një fasoneri me, le të themi në momentin e parë me intoksikacion dhe momentalisht parametrat vitalë janë brenda normës. Janë marrë analizat dhe dy prej tyre që kanë qenë në një gjendje pak më të rënduar se pjesa tjetër do t’i nisim në spitalin e toksikologjisë në Spitalin e Traumës”, u shpreh Kavaja.
Konfederata e sindikatave të Shqipërisë i bën thirrje Inspektoratit të Punës të nisë urgjent një grup në ndërmarrjen në Fllakë dhe policia e prokuroria të vihen në lëvizje për të vënë para ligjit përgjegjësit e këtij incidenti.


