Sot në shkollën e mesme “Janaq Kilica” të qytetit të Fierit janë helmuar disa nxënës, të cilët më pas janë paraqitur edhe në Spitalin Rajonal të qytetit, me simptoma të ndryshme.
Në lidhje me situatën e nxënësve pas helmimit, ka folur edhe mjeku toksikolog Lulzim Banushi, që shpjegon në detaje gjendjen e të helmuarve.
“Nxënësit kanë pasur simptoma si lotim i syve, kolla, me vështirësi në frymëmarrje, por në tërësi rastet nuk kanë qenë të rënda. Janë raste nën mesataren, jo intonksinuar rëndë. Kjo është një lloj lënde që jep efekte negative tek rrugët e frymëmarrjes, si lotimi i syve, teshtima etj. Por janë simptoma që nuk kanë rrezik për jetën. Jo të gjithë pacientët e paraqitur ishin të intoksikuar, për arsye se një pjesë e tyre ishin edhe me shqetësime psiko-emocionale, gjendje stresi dhe ankthi, ndoshta të krijuara edhe nga momenti. Pacientët kanë probleme me gjendjen psiko-emocionale dhe duhet të qetësohen deri në fund”, deklaroi doktori Banushi.
Ndërsa, drejtoresha e Spitalit Rajonal të Fierit Nevila Shuke deklaroi se nxënësit kanë paraqitur simptoma ankthi, por se situata e tyre sa vjen e po përmirësohet.
“Nxënësit e parë në Spitalin e Fierit janë paraqitur rreth orës 11.00. Janë paraqitur 30 nxënës. Më pas ka vazhduar numri tek 50 nxënës dhe 10 rastet e fundit kanë ardhur më shumë me simptoma ankthi dhe gjithsej janë afërsisht 60 pacientë, 2 mësuese dhe 58 nxënës. Aktualisht 14 nxënës janë në monitorim. Gjithë stafi i Spitalit Rajonal të Fierit ka qenë i angazhuar për përballimin e situatës. Gjendja e 14 nxënësve që janë në monitorim tanimë është shumë e mirë, ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe për situatën.
Janë marrë të gjitha analizat toksologjike nga instancat e tjera dhe se situata po shikohet nga afër, si në rastin e parë ashtu edhe në rastin e dytë. Janë cuar të gjitha ekzaminimet laboratorike pranë institucioneve përkatëse, të cilat do nxjerrin përfundimet e gjithë situatës”, tha ajo.


