Me kërkesën që KLGJ-ja të tërhiqet nga shkrirja e 18 gjykatave, avokatët që kanë hyrë në javën e tretë të bojkotimit të seancave gjyqësore paralajmëruan dje se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shpalljen si antikushtetues të hartës që pritet të miratohet nga qeveria.
Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, deklaroi dje se protesta e avokatëve në mbarë vendin duhet t’i shërbejë KLGJ-së për ta riparë edhe njëherë hartën gjyqësore. Haxhia paralajmëroi se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për hartën e re gjyqësore.
“Nuk ndihemi të humbur në asketin që gjithë problemet nuk u morën parasysh. Ajo që ne donim të realizonim, e realizuam. Ja bëmë të qartë qytetarëve që kjo hartë gjyqësore do bie në kurriz dhe xhepave të tyre. Të shërbejë ky tubim si një thirrje e fundit për KLGJ-në dhe qeverinë për ta riparë edhe njëherë. Kjo hartë do krijojë problematika të mëdha. Ne nuk vëmë vija të kuqe, jemi profesionistë. Kemi paraqitur argumentet tona që drejtësia të jetë e realizueshme. Kemi propozuar shumë variante që janë mese të realizueshme dhe rezultat bindëse. Do e çojmë në Kushtetuese, hapi i fundit. Nuk bëjmë protestë për të treguar forcën tonë”, theksoi Haxhia.
Protesta njëorëshe u mbajt dje para polit të drejtësisë që dikur ishte shtëpia e avokatëve por që iu shit qeverisë për ta shndërruar në selinë e institucioneve të reja të drejtësisë, midis tyre edhe KLGJ që nuk po tërhiqet nga harta gjyqësore. KLGJ-ja ngulmon fort se harta e re është ndikuar edhe nga procesi i vetingut që boshatisi gjykatat. Avokatët në të gjithë vendin kanë zbatuar vendimin e Dhomës Kombëtare për bojkotimin e seancave gjyqësore deri më 17 Qershor.
Të vetmet procese që janë zhvilluar ka ë qenë seancat e masave të sigurisë të cilat kanë afate dhe moszhvillimi i tyre mund të sjellë pasoja të rënda duke rrezikuar lirimin e të arrestuarve. Në të gjithë vendin si pasojë e protestës së mbrojtësve ligjor kanë dështuar rreth 800 procese gjyqësore, ndërkohë që e njëjta situatë pritet të ndodhë dhe në ditët në vijim. Kryeqyteti ka qenë më i prekur nga bojkoti pasi ka dhe numrin më të madh të gjykatave si, Shkalla e Parë, Penale e Civile, Apeli, Gjykata Administrative, Gjykata e Lartë ku në total 500 procese të gjitha të shtyra me kërkesë të avokatëve.
Vendimi drastik i dhomës kombëtare të avokatisë erdhi pas miratimit nga KLGJ i hartës së re gjyqësore e cila redukton ndjeshëm numrin e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Një nga argumentet kryesore kundër hartës së re është fakti që ajo sipas tyre shkel të drejtat e njeriut pasi nuk ju jep akses të barabartë qytetarëve para ligjit, ku një pjesë e mirë e tyre duhet të lëvizin për dhjetëra kilometra deri në qendrat e qarqeve për të gjetur drejtësi.