OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, 4 kriminelëve me banim në Korçë. Bëhet fjalë për:
– Erjon Llapushi, banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka shpallur fajtor për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim!
Llapushi, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, shantazhonte dhe terrorizonte me dhunë biznesmenët duke u vendosur ‘gjoba’.
Ai ra në pranga në shkurtin e 2019-ës pasi dy vëllezër biznesmenë informuan në dhjetor te vitit 2018 prokurorinë për kërcënimet dhe kërkuan ndihmë nga institucionet pasi ndiheshin të rrezikuar për jetën e tyre dhe të familjarëve.
Në dokumentet zyrtare të sekuestruara nga prokuroria rezultoi se Llapushi merrte aksione me dhunë e shantazh. Ai kishte tjetërsuar një pjesë të aksioneve duke ua dhuruar personave të tretë gjithashtu me precedentë penal.
– Arben Pilinçi, banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë e ka deklaruar fajtor për veprën penale “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”;
Kush është ARBEN PILINÇI
Ish- funksionar publik i shtetit shqiptar, në vitin 2016 u përfshi në trafik narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje. Pilinci atëkohë ishte kryeplaku i fshatit Podgorie në qarkun e Korçës, edhe pse i dënuar për vrasje. Reklamonte jetën e tij luksoze, mes makinave e parave. Ai nuk harronte të lëvizte me makinë hammer, dhe ndërkohë, brenda makinës të qarkullonte me fisha pokeri për të organizuar tryeza loje me shumë para.
– Theodhor Dhamo, banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
– Vangjel Zguri, banues në Korçë pasi Gjykata e Lartë Tiranë e ka deklaruar fajtor për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë”, thuhet ndërkaq në njoftimin e OFL.