Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, teksa ka folur për situatën politike para zgjedhjeve, ka përcjellë një mesazh për ambasadoren e SHBA Yuri Kim dhe për ish-deputeten e PD Jozefina Topalli.
Pasi Topalli një ditë më parë bëri thirrje për protesta pasi sipas saj kjo klasë politike e ka lënë vendin pa alternativë, Ndoka në një intervistë për report tv i bën thirrje që të zbresë me këmbë në tokë.
“Për fatin e keq Topalli e sheh nga helikopteri, nga lart situatën politike. Duhet të zbresë në tokë. Nuk e ndalon njeri të krijojë një formacion të ri politik ose t’i bashkohet edhe ajo Rudina Hajdarit ose Murrizit. Të aktivizohet në politikë. Politika është pjesëmarrje, nuk mund të bëjë rolin e gladiatorit duke gjuajtur me shigjeta këdo që nuk i pëlqen në politikën shqiptare”, tha Ndoka.
Ambasadores për mesazhin e saj për klasën politike që të jetë e përgjegjshme në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, i përgjigjet duke i thënë që të mos bëjë strucin por sipas tij të shohë se elementët kriminalë kanë dalë nga PS.
“Ndërkombëtarët bëjnë shumë mirë që i porosisin partitë politike, por unë kam edhe për ndërkombëtarët vërejtjet e mia. Edhe ambasadorja e SHBA nuk duhet të bëjë strucin por duhet të shohë që elementët kriminalë kanë dalë dhe janë pjesë e strukturave të PS. Njerëz që janë shpallur non grata në SHBA, akullorja e Durrësit Rama e ka shok dhe komunikon çdo natë me Dakon, edhe tjetrin që ka në Shkodër e përdor për të mbledhur vota”, përfundon Ndoka.


