Në tri qarqet e prekura nga gripi, vetëm në harkun kohor të një dite kanë ngordhur më shumë se 23 000 pula, duke e çuar në 832 mijë numrin e atyre që kanë ngordhur që nga data 7 mars, kur u shfaqën shenjat e para të sëmundjes së konfirmuar pas gati dy javësh.
pula te ngordhura
Shifra është bërë publike nga Ministria e Bujqësisë në raportimin e së enjtes. Në kushtet kur virusi ka marrë përmasë të gjerë duke prekur disa nga stabilimentet kryesore që furnizojnë me vezë gjithë vendin, e gjithë përpjekja tanimë është kufizuar në izolimin e H5N8. Deri më tani figurojnë tri vatra të prekura nga gripi i shpendëve, konkretisht në Durrës, Dibër e Korçë.
SITUATA
Në daljen e radhës, zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci, u tërhoqi vëmendjen tregtarëve të shpendëve të gjallë në mjedise të hapura, nxitur nga kronikat televizive që treguan të kundërtën në disa qytete të Shqipërisë.
“Është e rëndësishme për tregtarët dhe publikun që të dihet se është në fuqi urdhri për marrjen e masave kufizuese për parandalimin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla. Ky urdhër do të zbatohet në tri qarqet ku është konfirmuar vatra e sëmundjes: Durrës, Dibër, Korçë. Urdhri ndalon shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në këto qarqe, si dhe lëvizjen e shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla”, nënvizon Gjeci, teksa shton se ka bashkëpunimin e Policisë, prefektëve dhe kryetarëve të bashkive për ndalimin e tentativave për shkeljen e ligjit, duke e ndarë kështu përgjegjësinë me ta. “Nga kontrollet e ushtruara nga AKU në të gjithë territorin e vendit deri tani nuk janë evituar shkelje”, këmbëngul zv.ministrja.
APELI
Lidhur me sigurinë ushqimore, nr.2 i Ministrisë së Bujqësisë sqaroi për të disatën herë konsumatorët se nuk përballen me kurrfarë rreziku nëse gatuajnë mirë pulat dhe vezët. “Më lejoni të shfrytëzoj ekranet tuaja dhe këtë komunikim për t’iu drejtuar konsumatorëve se nuk ka asnjë rrezik si për mishin, ashtu dhe për vezët, të cilat i blini nga operatorët e licencuar dhe produktet janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumimi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperaturë më të larta se 70 gradë celsius, siç është dhe procedura normale e gatimit”.
PULA E VEZË NË TREG, PROKURORIA E DURRËSIT NIS HETIM
Prokuroria e Durrësi ka regjistruar hetimin penal për firmat dhe zyrtarët publikë, pas ngordhjes së mbi 380 mijë pulave nga gripi i shpendëve. Hetimet po kryhen pas dyshimeve për shkeljen e rregullave të karantinës së shpendëve në vatrën e infektuar dhe shpërdorim detyre të funksionarëve që duket se kanë lejuar të dalin në treg pula e vezë me H5N8. Hetimet që thuhet të kenë nisur që të hënën e 21 marsit në disa pulari të qytetit bregdetar kanë kërkuar informacion mbi kohën kur është konstatuar rasti i parë dhe nëse janë vënë në dijeni apo jo organet përkatëse. Prokuroria i ka kërkuar Policisë të sekuestrojë dokumente mbi praktikën që është ndjekur pas rasteve të konstatuara për ngordhjen e shpendëve. Ministria e Bujqësisë e ka konstatuar rastin e parë në 19 mars, duke e njoftuar një ditë më vonë në media. Ndërkohë që kompanitë thonë se që në datën 7 mars kanë njoftuar organet kompetente mbi fenomenin e konstatuar në pularitë e tyre.
EPIDEMIA TREMB KONSUMATORËT, S’BLEJNË MË PULA E VEZË
Gripi i shpendëve që ka krijuar vatra të epidemisë në dy zona në vendin tonë duket se po jep efekte negative edhe te konsumatori. Qytetarët e Kukësit, ndonëse ndodhen qindra kilometra larg vatrës kryesore që është në Durrës, shprehen se kanë ndaluar konsumimin e mishit të pulës dhe të vezëve. Edhe pse autoritet kanë deklaruar se ky virus që ka prekur shpendët nuk mund të transferohet te njerëzit, qytetarët kuksianë shprehen mosbesues, pasi sipas tyre, në treg asgjë nuk kontrollohet dhe asgjë nuk është e sigurt. Mesa duket, në Kukës të vetmit që konsumojnë mishin e pulës dhe vezët janë ata që i rrisin vetë këto shpendë në oborret e tyre. Por nga ana tjetër, nuk mungojnë as personat që i nxjerrin për t’i tregtuar këto pula, pa pasur asnjë konfirmim nëse janë apo jo të prekura nga gripi i shpendëve.


