Qeveria greke ka prezantuar një plan ambicioz për shfrytëzimin e hapësirave detare përgjatë brigjeve të saj, një nismë që përfshin zgjerimin e zonës detare nga 6 deri në 12 milje dhe synon zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, nga kërkimi i gazit dhe naftës deri tek mbrojtja e trashëgimisë kulturore nënujore. Ky plan është pjesë e një strategjie më të gjerë për të rritur ndikimin e Greqisë në zonat detare të rajonit dhe për të maksimizuar përdorimin e burimeve natyrore dhe mundësive për zhvillim ekonomik.
Ministritë për Jashtme dhe atë për Mjedisin dhe Energjinë kanë publikuar një hartë që tregon ndarjen e hapësirave detare në katër njësi të ndryshme, duke shënuar interesat strategjike të Greqisë për aktivitete të tilla si kërkimi për lëndë të para, peshkim, turizëm dhe ruajtjen e ekosistemeve nënujore. Ky është hera e parë që Athina publikon një dokument të tillë, duke përcaktuar qartë “Zonat Ekskluzive Ekonomike” (ZEE) në ujërat e Jonit, Egjeut dhe Mesdheut Lindor, duke i dhënë një orientim të qartë politik dhe ekonomik zhvillimit të këtyre hapësirave në të ardhmen.
Megjithatë, ky plan ka shkaktuar tensione, sidomos me Turqinë, që ka pretendime për të njëjtat hapësira detare, veçanërisht në Egje dhe Mesdheun Lindor. Tensionet mes dy vendeve kanë qenë të larta për vite me radhë, veçanërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi ndarjen e kufijve të detit dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore. Një ngjarje e rëndësishme që ka rritur shqetësimet ka qenë dërgimi i anijes turke “Oruç Reis” në vitin 2020 për kërkimin e naftës dhe gazit në një zonë të cilën Greqia gjithashtu e pretendon si pjesë të Zonës së saj Ekskluzive Ekonomike. Ky veprim çoi në një përplasje diplomatike dhe krijoi frikën për një konflikt të mundshëm ushtarak mes dy vendeve, që janë gjithashtu anëtare të NATO-s.
Mediat turke, pas publikimit të planit të qeverisë greke, kanë shpërndarë harta dhe projekte të ngjashme për shfrytëzimin e hapësirave detare të Turqisë, ku ndodhin mbivendosje të konsiderueshme me zonat që Greqia ka shpallur të interesuara. Kjo situatë ka përshkallëzuar më tej tensionet dhe ka ngritur shqetësime për mundësinë e një konflikti të ri të mundshëm në këtë rajon të ndjeshëm gjeopolitik.