Dy ditë pas ngjarjes tragjike në familjen Buci në Kamëz, ku gjatë tentativës për grabitje të marketit të tyre nga dy persona mbeti i vrarë kryefamiljari Agimi dhe u plagos në këmbë gruaja Rita Buci, familjarët apelojnë për drejtësi.
Vëllai i viktimës Rifat Buci dhe motra Lume Dika për mikrofonin e Ora News treguan të gjithë dinamikën e ngjarjes.
Rifat Buci: Policia rëndësi ka që i ka kapur në kohë rekord, që natën e parë më tha shefi i komisariatit i ka pasur brenda. E ka fajin pushka se ai ia ka drejtuar edhe gruas që e ka plagosur. Siç i ra vëllait në zemër, do ti binte edhe asaj. Mirëpo e ka fajin pushka. Dhe përdorim një fjalë ne kur të fal pushka të falet gjaku. Por të vijë tjetri të ç’njerëzojë familje. Po ti shkoj atij djali ta ç’njerëzoj, si i vjen atij? A njeh familje? Më mirë më kërkon 10 mijë lekë dhe ti jap unë.
Lume Dika, motra e Agimit: Tani kemi folur me gruan tek spitali dhe tha: Më kanë thënë, lekët! U kam thënë, tha, çfarë lekësh kërkoni ju, është djersa ime. Në të parën kanë gjuajtur, tha, dhe jam rrëzuar. Në atë kohë, tha, ka dalë burri që ka qenë duke seleksionuar mallin.
Mesazhe më të forta lëshoi kunata dhe kushëriri i Agimit.
Kunata e Agimit: I lutem shtetit ti japë dënimin e merituar se më ka lënë katër fëmijë, po se mori dënimin do ti shkoj në gjyq unë. Unë jam kunata e tij që e kam ngritur.
Kushëriri i Agimit: Ose drejtësia të shkojë në vendin e vet dhe të bëjë punën që është për të bërë ose do të kthehet në hakmarrje. Me na pyet ne, dënimi jonë është kapital.
Sipas dëshmitarëve, marketi ku ndodhi ngjarja nuk bën te më shumë se 3 mijë lekë të reja xhiro në ditë.
Agim Buci u vra gjatë një tentative të dy grabitësve për ti vjedhur dyqanin në zonën e Kamëz dy ditë më parë. Policia ka arrestuar dy persona si të dyshuar për vrasjen.
Autorët e dyshuar janë Vladimir Kurti 28 vjeç, Ruzhdi Hode 25 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Ata kanë pranuar autorësinë e vrasjes, duke u shprehur se kanë qëlluar në drejtim të Agim Bucit.