Policia kanadeze ka nisur hetimet për grabitjen e një sasi të madhe ari në Aeroportin Ndërkombëtar të Torontos, i cili shpesh herë përdoret për të magazinuar materialin e rrallë të nxjerrë nga minierat në Ontario.
Sipas të dhënave paraprake, grabitësit dyshohet se kanë marrë ar me vlerë 15 milionë dollarë dhe sende të tjera me vlerë.
Kontejneri me vlerë të lartë mbërriti në aeroport në mbrëmjen e 17 prillit dhe u transportua në një objekt ku depozitohen zakonisht mallrat me vlerë. Policia beson se pikërisht në këtë vend ka ndodhur edhe grabitja.
Kjo vjedhje mund të konsiderohet si ndër më të mëdhatë në historinë kanadeze, duke përfshirë këtë dhe grabitjen e 3000 tonëve shurup panje në vitin 2012, e cila vlerësohej më shumë se 12 milionë dollarë.


