Tre efektivë policie kanë mbetur të plagosur mëngjesin e sotëm në Elbasan.
Sipas informacioneve të deritanishme, mësohet se policët janë njoftuar për një vjedhje në një dyqan dhe kanë shkuar për të kryer veprimet hetimore.
Në momentin që ata kanë shkuar në vendngjarje janë përballur me hajdutin që i ka sulmuar thikë.
Bëhet me dije se policët janë plagosur lehtë në këmbë. Agresori deri tani mësohet se është një i sëmurë mendor, i cili ka nxjerrë thikën nga xhepi dhe ka goditur policët.
Njoftimi i policisë
Sot, rreth orës 10:00, në lagjen ‘5 Maji’, në një dyqan ushqimor ka hyrë për të grabitur shtetasi Irfan Halimllari, rreth 50 vjeç, i cili ka marrë lekët e xhiros rreth 20 mijë lekë të reja të dyqanit e më pas është larguar.
Me të marrë njoftimin, një Patrullë e Policisë së Elbasanit ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar autorin me mjetin prerës në dorë.
I ndodhur në këto kushte, Halimllari ka tentuar të dëmtojë veten me mjetin prerës.
Punonjësit e Patrullës kanë ndërhyrë per ta parandaluar dhe gjatë neutralizimit të autorit, janë lënduar 3 punonjësit e Policisë, të cilët morën ndihmën mjekësore në spital.
Policia ka ndaluar autorin e ngjarjes.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e lekëve dhe një mjet prerës gërshërë.
Grupi hetimor ndodhet në vendgjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


