Një çift nga Maqedonia e Veriut, që hiqeshin si pushues në bregdetin e Sarandës, vodhën turisten nga Greqia dhe tentojnë arratisjen.
Por policia vendore i ka pikasur pas denoncimit, duke i lokalizuar dhe më pas arrestuar sot (23 Gusht), pas gjashtë ditësh kërkime. Si prova materiale janë marrë edhe pamjet nga kamerat e sigurisë, kur të dyshuarit largohen pas krimit.
“Gjatë aksionit u sekuestrua edhe makina e dy të dyshuarve. Po vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas”, bëri me dije policia vendore.
Pas veprimeve paraprake proceduriale, dosja i kaloi prokurorisë, për veprën penale “vjedhja”, kryer në bashkëpunim, teksa çifti i dyshuar po merret në pyetje.


