Dy vjedhje me një dëm të pretenduar prej rreth 200 milionë lekësh janë regjistruar brenda dhjetë ditësh në qarkun e Beratit. Objektiv i autorëve kanë qenë pronat e dy biznesmenëve, ndërsa ngjashmëria e mënyrës së veprimit ka ngritur dyshime se pas ng dy ngjarjeve mund të qëndrojë i njëjti grup.
Gjatë kallëzimeve në polici, dy biznesmenët kanë deklaruar se në secilën kasafortë ndodheshin afërsisht 100 milionë lekë. Këto shuma janë pretendime të denoncuesve dhe ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Dyshimet paraprake janë se në vjedhje kanë marrë pjesë disa persona. Ata raportohet se kanë mbuluar fytyrat me maska dhe kanë përdorur kapuça, duke e bërë të vështirë identifikimin e tyre.
Hetuesit kanë sekuestruar regjistrimet e kamerave të sigurisë në të dyja objektet dhe po i analizojnë së bashku me provat e gjetura në vendngjarje. Deri tani nuk raportohet për persona të identifikuar apo të arrestuar.
Policia e Beratit nuk ka publikuar ende një komunikatë zyrtare për ngjarjet, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar autorët dhe nëse dy vjedhjet janë realizuar nga i njëjti grup.


