Rreth një vit pasi kishin qëlluar kryeministrin Rama me vezë, aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin”, konkretisht Mirela Ruko “njollosi” me salcë të kuqe ministren Nikolla në shenjë proteste.
Disa e mbështetën, disa e kritikuan. Çfarë ka ndryshuar prej nëntorit të vitit 2016, si mund të arrihet arsimi publik falas dhe çfarë mendon Mirela për rininë shqiptare dhe pse kjo protestë ditën e nesërme?!
Për këto e shumë të tjera JOQ.al ju sjell një intervistë ekskluzive të vajzës nga Fieri, por me shpresa të mëdha për Shqipërinë.
Çfarë ka ndryshuar në lëvizjen “Për Universitetin” që prej xhestit tuaj ndaj ministres së Arsimit?
Lëvizja vazhdon t’i qëndrojë të njëjtë retorikë për arsim publik falas. Duke qëndruar konsistentë në protestat tona, kemi krijuar besim tek shumë të rinj dhe radhët tona janë shtuar ndjeshëm që nga krijimi e deri tani.
Si e pritët vendimin e Ramës këtë mandat të dytë që vuri sërish Nikollën në krye të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve?
Rivendosja e Nikollës në krye të MAS për të dytin mandat radhazi nuk është agjë tjetër veçse një propagandë për të mbuluar dështimin e reformës në arsimin e lartë, por jo vetëm kaq, pasi është bërë për të mbuluar gjithë kthesën pas të arsimin në vend.
Megjithatë, as një mandat i dytë nuk mund t’ia heqë njollën që Lindita Nikolla ka sot si një nga ministret më të dështuara duke shkaktuar kaos në universitet, duke shkatërruar ëndrrat e shumë të rinjve dhe duke hedhur hapa drejt privatizimit të dijes.
Pra, ministrja Nikolla ka firmosur pa mëdyshje përdhosjen e dijes.
Përveç përgjegjësisë morale, ndoshta ndaj ministres Nikolla duhet të kishte nisur një proces hetimor, bazuar kjo në raportin e KLSH për procedurat e regjistrimit të maturantëve të vitit akademik 2016-2017.
Edhe nëse Nikolla nuk do zgjidhej nga Rama si ministre Arsimi për të dytin mandat, thjesht do të ndryshonin emrat dhe figurat asgjë më tepër, kujtojmë që Lindita Nikolla nuk ka vendosur vetë për asgjë që ka firmosur gjatë 4-vjeçarit të parë.
Keni pasur një konsistencë protestash për kauzën e arsimit, pse kjo protestë pikërisht tani?
Reforma më Arsimin e Lartë nuk ka filluar ende të implementojë skemën financiare, deri më tani janë futur vetëm aktet nënligjore për organizimin së brendshmi të universiteteve. Lëvizja “për Universitetin” ka thënë prej kohës që vërtet reforma u miratua, ama implementimi i saj brenda hapësirave universitare ka për të qenë “i dhimbshëm” e i pamundur, pasi do përballet me rezistencën e trupës universitare.
Kemi zgjedhur datën 24 janar për të protestuar, sepse Janari është muaji kur studentët paguajnë tarifën e studimit.
Do i vëmë afat qeverisë për realizimin e kërkesave tona, të cilat janë:
– Të përgjysmohen tarifat studimore në të gjitha degët dhe nivelet e studimeve;
– Të hiqet barra financiare për certifikimin e gjuhës së huaj;
– Të hiqet pagesa dyfish e krediteve për provimet e mbartura;
– Në fund, në solidaritet dhe bashkë me studentët e FGJM, kërkojmë që qeveria t’i kthejë godinën e saj historike Fakultetit të Gjeologji Miniera,
në rast të kundërt do përshkallëzojmë veprimet tona.
Cila është thirrja jote për studentët që prisni t’ju bashkohen në protestë dhe për ata me të cilët ndoshta s’keni arritur të flisni nëpër fakultete?
Kërkesat mbi të cilat kemi hartuar peticionin që i drejtohet Këshillit të Ministrave, kanë ardhur si rjedhë e kërkesave të bëra nga vetë studentët prej muajit nëntor të vitit 2017 në Univeristetin e Tiranës dhe në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Studentët në këto takime kanë shprehur shumë problematika, që nga karta e studentit dhe mospasja e hapësirave në Tiranë e deri tek korrupsioni në universitet. Ama, bashkarisht vendosëm që të çojmë përpara kërkesat ekonomike, të cilat në mënyrë direkte ua pamundësojnë studentëve arsimimin, çka e bën këtë një kërkesë parësore.
Bashkë me kërkesat ekonomike, ka lindur nevoja edhe për Fakultetin e Gjeologji-Minierave, godina e të cilit tashmë nuk i përket më MAS, por Ministrisë së Drejtësisë dhe rrezikon të humbë ekzistencën e tij, vetëm sepse pushtetit i ka shkrepur në mendje që aty të ndërtohet “pallati i drejtësisë”. Por a mund të ngrihet pallati i drejtësisë duke bërë një padrejtësi që në themel të tij?! Dhe më e keqja është se studentëve u është dhënë alarmi që godina e tyre do shembet, por nuk u është dhënë asnjë alternativë se ku do fusin kokën për të studiuar kur kjo të ndodhë.
Unë e di që ka një mosbesim tek të rinjtë sa i takon fuqisë së protestës dhe bashkimit, ama nuk kemi asgjë për të humbur nëse tentojmë vazhdimisht për një kauzë.
Më thoni ku keni parë një qeveri që i plotëson kërkesat e dala nga një protestë me të parën e saj? Sigurisht që nuk do e bëjë, sepse kështu rinia do merrte zemër për të guxuar më shumë në kërkesat e tyre dhe qeveria di mirë se si t’i dekurajojë.
Ndaj ne duhet t’i bëjmë presion të vazhdueshëm qeverisë që të na i plotësojë kërkesat tona të drejta.
Unë i ftoj studentët që jo vetëm të jenë pjesëmarrës në protestën e datës 24, por edhe t’i bashkohen lëvizjen “Për Universitetin” për më gjatë.
Është në dorën tonë të vendosim se çfarë brezi do jemi.
Të jemi brezi i kafeneve (akuza që na bëhet më shpesh) dhe i konformizmit apo brezi i revoltës dhe emancipimit shoqëror.
Ne nuk duhet të bëjmë gabimet që kanë bërë prindërit tanë, s’duhet të heshtim. Ka ikur koha e luftës për copën e bukës edhe pse ka shumë që e ndjejnë mungesën e saj.
Unë njoh studentë të cilët jetojnë me dy byrekë në ditë edhe familje që mbijetojnë në varfëri ekstreme.
Ne të rinjtë duhet të jemi kritikë ndaj sistemit në të cilin jetojmë, dëshira që ne duhet të kemi është ndryshimi rrënjësor i tij dhe jo largimi sa më parë nga Shqipëria.
Kohët e fundit të gjithë kemi parë të rinj që rrezikojnë edhe jetën për të ikur nga ky vend dhe kjo na bën të kuptojmë domosdoshmërinë e të qenit aktivist. Ne aktivistët e lëvizjes “PU” mendojmë që një brez i mirëarsimuar mund të çojë përpara këtë vend, duke pasur në thelb drejtësinë sociale.
Ndaj në këmbëngulim që arsimi në Shqipëri të jetë publik dhe falas, sepse të rinjtë e mirëarsimuar do ja kthejnë pas shoqërisë me kontributin e tyre profesional mundësinë që që çdo qytetar taksapagues do u jepte për t’u arsimuar.
Marrim shembull, një doktor i mirë është siguri për komunitet ashtu sikurse një mësues i mirë është garantues i një brezi të shkëlqyer, e kështu me radhë.
Ndaj kurrsesi nuk mund të vendoset kriteri ekonomik si barrierë për të hyrë në universitet, por vetëm kriteret akademike.
Realizimi i të gjitha kërkesave që ne kemi parashtruar në thirrjen e kësaj proteste do mundësohet vetëm nga angazhimi i secilit student.
Këto dy javë dhjetëra aktivistë kanë punuar sipas fakulteteve përkatëse, duke sakrifikuar nga koha e tyre, duke tejkaluar problemet personale dhe ngarkesën arsimore, ndaj këta të rinj janë një shembull i mirë i të riut aktiv sot, i cili del nga sfera e tij personale duke i dhënë kështu përparësi të mirës së përbashkët.
Mirela tregon që në lëvizjen “Për Universitetin” ka shumë aktivistë, të cilët punojnë nga 8 orë në ditë dhe sërish e gjejnë kohën për t’u angazhuar.
Keni pasur probleme me partitë opozitare pasi protestat tuaja janë në data të përafërta? Ndonjë përplasje me forumet rinore?
Lëvizja jonë ka kritikuar partitë politike, sepse situata aktuale në vend është pasojë e politikave të tyre të mbrapshta ndër vite. Ndaj “Për Universitetin” nuk ka të bëjë me asnjë nga partitë të këtij sistemi të kalbur.
Prandaj, forumet rinore, me militantë që s’janë aspak kritikë, nuk mund të ndalojnë veprimtarinë tonë.
Unë si Mirelë nuk i vë faj të rinjve që mbështesin partitë politike, sepse mungesa e punësimit dhe alternativë për një jetë më të jetë dinjitoze i shtyn ata të shesin shpirtin djallit, duke menduar qorrazi vetëm për të përmirësuar kushtet e tyre imediate dhe personale në kurriz të të tjerëve.
Fatkeqësisht ata nuk kuptojnë që përmes militantarizmit të tyre për partitë politike, i ushqejnë ato duke i dhënë pushtet që ta mbajnë të njëjtën gjendje dëshpëruese.
Në fakultet si FSHN, FHF dhe tek ai i Ekonomikut, studentë që janë pjesë e forumeve rinore kanë dekurajuar studentët që të mos firmosin peticionin tonë dhe të mos marrin pjesë në protestë. Por, pavarësisht kësaj po në ato klasa kemi gjetur më shumë mbështetje pasi fjalët e forumeve rinore nuk pinë më ujë tek studentët.
Si do mblidheni ditën e protestës? Ku mund t’ju gjenjnë studentët dhe qytetarët?
Në orën 10-të fillojmë të mblidhemi në oborret e fakulteteve ku kemi më shumë aktivistë, nga FSHN, FSHS, FHF, Ekonomiku dhe Gjeologji-Minierave për të ardhur drejt korpusit universitar, pra tek Politekniku. Pasi të gjithë të bëhemi bashkë tek korpusi nga aty nisemi në orën 11 drejt kryeministrisë ku edhe do dorëzojmë peticionin,
Nëse ka shpresë ajo gjendet tek të rinjtë!
/ JOQ.al


