Gjykata e Tiranës ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Mark Frrokun, Durim Bamin dhe Tom Doshin. Të tre janë nën akuzën e “Kallëzimit të rremë”.
Kjo akuzë ka të bëjë me atentatin e supozuar ndaj deputetit Tom Doshi.
Me 20 qershor prokuroria do të jap pretencën për të akuzuarit. Durim Bami akuzohet si autori për atentatin e pretenduar ndaj ish-deputetit Doshi.
Tom Doshi, Durim Bami dhe Mark Frroku
Si ka ndodhur ngjarja
Ngjarja e bujshme e ka zanafillën që në vitin 2015, kur Tom Doshi në atë kohë deputet, tha publikisht se kishte zbuluar një atentat që do të bëhej ndaj tij. Doshi akuzoi për përfshirje në këtë ngjarje edhe Presidentin Ilir Meta, që në atë ishte kryetar i LSI.
Deputeti Doshi publikoi një intervistë të kryer nga ai vetë me Durim Bamin, i cili pretendonte se ishte porositur për të eliminuar fizikisht Doshin dhe ish-deputetin e PD-së, Mhill Fufin. Intervista bëri shumë bujë dhe shkaktoi trazira, por për organin e Akuzës ishte gjithçka e rreme, ndaj dhe Doshi e Bami u vunë nën akuzë për kallëzim të rremë.
Ndërkohë, ka qenë dëshmia e ish-deputetit Mark Frroku, ajo që ka nxjerrë blof në një farë mënyrë Tom Doshin. Ky i fundit ka thënë në Prokurori se është sinjalizuar nga ish-deputeti për atentatin e supozuar.
Mirëpo, në dëshminë e tij në Prokurori, Mark Frroku ka mohuar versionin e Doshit, duke bërë që të ngrihen dyshime të mëdha për kallëzimin e deputetit Doshi se ndaj tij ishte planifikuar një atentat nga eksponentë të lartë të politikës.



